Arbëri

Të demoluara e të vjedhura, tualetet e parkingut nëntokësor pritet të bëhen me pagesë

Që në orët e para të mëngjesit frekuentimi i njerëzve nuk mungon. Kjo pasi tualetet publike në kryeqytet janë të pakta e ato që janë, janë me pagesë.

Kjo ka bërë që tualetet publike të cilat janë pa pagesë në parkingun nëntokësor të jenë më të frekuentuara nga qytetarët.

Mirëpo të njëjtat janë demoluar e vjedhur nga vetë këta qytetarë, deklaron drejtori i kompanisë ‘Prishtina Center’, e cila bën menaxhimin e këtyre hapësirave, Korab Fazliu.

Ai ka thënë që këtë vit më së shumti probleme kanë pasur nga festivali ‘Verë n’Dimër’, ku janë thyer dyert, janë dëmtuar guaskat e janë vjedhur letrat higjienike.

Madje, sipas Fazliut, të njëjtat po përdoren edhe për aspekte të tjera, si kryerja e akteve seksuale në tualete, të cilat janë të dedikuara për personat me aftësi të kufizuara.

Si pasojë e këtyre gjërave këto tualete po mendohen të bëhen me pagesë.

“Në fillim e kishim vetëm problemin që qytetarët i merrnin gjërat higjienike nga banjat. Këtë vit janë shtuar problemet, sidomos sa ishte festivali ‘Verë n’Dimër’, kemi pasur dëmtime të dyerve, të pasqyrave apo edhe të guaskave. Ne i kemi mbajtur të hapura tualetet deri në orën 04.00 të mëngjesit, mirëpo kjo gjë nuk na ka sjellë të mira dhe vetëm shumë dëme që na kanë kushtuar shumë. Jemi duke e shqyrtuar mundësinë që t’i bëjmë me pagesë. Disa prej qytetarëve janë duke i keqpërdorur tualetet publike, kemi qytetarë që vetëm shkaktojnë dëme dhe pastaj largohen”, ka thënë drejtori i “Prishtina Center”.

Ai madje ka thënë se posedojnë edhe video ku shihen persona të ndryshëm duke dëmtuar tualetet.

“Ne kemi menduar që edhe t’i publikojmë disa video në rrjete sociale, ku shihet se individët bëjnë dëme të konsiderueshme që të duken më atraktivë për shoqërinë e vet. Por këtë nuk e kemi bërë mirëpo ne premtojmë që në rast se këto probleme shtohen të gjitha videot do të publikohen në rrjetet tona sociale dhe në media”, ka thënë ai.

Fazliu ka thënë që gjatë vitit të kaluar vetëm në higjienë kanë shpenzuar rreth 12 mijë euro, duke shtuar që nuk kanë asnjë ndihmë nga Komuna me gjithë premtimet.

“Nga janari i vitit 2023 deri në dhjetor të po këtij viti vetëm në materiale shpenzuese kemi pasur shpenzime deri në 12 mijë euro, pa llogaritur edhe pagesat e stafit dhe gjërave të tjera, shto këtu edhe dëmtimet që po bëhen atëherë kjo është një shumë e papërballueshme për neve si biznes, ne nuk kemi asnjë ndihmë nga komuna e Prishtinës sa u përket tualeteve publike”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, edhe pse është publike, tualetet në hapësirat e Stacionit të Autobusëve janë me pagesë për kryerjen e nevojave fiziologjike.

Shqipe Durmishi nga ky stacion ka deklaruar që brenda ditës i frekuentojnë shumë njerëz këto tualete për shkak të transportit.

“Stacioni i autobusëve është pika më e frekuentuar e transportit rrugorë duke e ditur që kemi shumë udhëtarë, normalisht që edhe shfrytëzimi i banjave publike është i madh. Nuk kemi pasur ndonjë vërejtje sa i përket shërbimit nga njerëzit këtu në hapësirat e tualeteve në stacionin e autobusëve”, ka thënë ajo.

Në tualetet e parkingut nëntokësor nuk do të jenë me pagesë vetëm banjat për persona me aftësi të veçanta dhe zhveshtoret e bebeve.

Banja publike ka edhe në Pallatin e Rinisë dhe Parkun e Gërmisë, që nuk po shfrytëzohen nga qytetarët. Kjo, pasi ka dy vjet që nuk janë funksionale e që janë nën menaxhimin e NPL “Hortikultura”.