Arbëri

Të arrestuarit në Ministrinë e Bujqësisë marrin 50 për qind të pagës

Subvencionet

Foto: Arkiv

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka bërë të ditur se nuk mund të zëvendësojë zyrtarët e arrestuar me të tjerë, derisa shton se të arrestuarit marrin 50% të pagës, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. Sipas tij, rritja e çmimeve ka qenë e pashmangshme.

Arrestimet e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë e kanë lënë pa staf të mjaftueshëm këtë dikaster.

Ministri Faton Peci thotë se nuk mund t’i zëvendësojë ata deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

“14 prej tyre janë të arrestuar. Mbi bazën e legjislacionit në fuqi është sfiduese sepse prezumimi i pafajësisë është kategori kushtetuese. Ata po mbesin në pozicione të tilla ndërsa ne e kemi të vështirë zëvendësimin e tyre”, ka thënë ai.

Peci ka shtuar se ata vazhdojnë të marrin 50% të pagës, siç edhe është e përcaktuar me ligj.

Në tryezën e organizuar nga FOL, ministri i Bujqësisë ka folur edhe për mashtrimet me subvencione. Sipas tij, avancimi i sistemit të informacionit do t’i eliminojë këto probleme.

Keqpërdorimet e tilla, sipas Pecit, kanë pamundësuar akreditimin në organizatat ndërkombëtare për bujqësi. Ministri për rritjen e çmimeve ka thëne se ishte e pamundur që të evitohej, meqë rritja është globale, por, sipas tij, Qeveria po punon që të mbështesë qytetarët në mënyrë që të tejkalohet më lehtë.

Tutje, Faton Peci ka thënë se është i përkushtuar që të krijojë legjislacionin e të fshijë borxhet që ka gjetur në këtë ministri, kur edhe e mori mandatin në mars të këtij viti.