Ish-presidenti i Shqipërisë Sali Berisha ka humbur apelin në Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit në Londër me Ministrinë e Punëve të Brendshme “Home Office”, pas së cilës ai do të vijojë ta ketë të pamundur hyrjen në Britaninë e Madhe.
Avokatët e Berishës tentuan pa sukses të rrëzojnë në këtë komision dosjen britanike përmes të cilës “Home Office” e shpalli person të padëshiruar më 19 korrik 2022 nën akuzat për përfshirje në korrupsion, ndërhyrje në punët e drejtësisë dhe lidhje me krimin e organizuar.
Top Channel ka siguruar vendimin e lexuar këtë të hënë në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit”, ku gjykatësi i çështjes rrëzoi pretendimet e Berishës se ai gëzonte imunitet dhe nuk mund të ndëshkohej në këtë mënyrë.
“E gjejmë të pavend aplikimin e formulës të imunitetit si ish-kreu i një shteti i aplikuar në këtë apel. Për këtë arsye dhe të tjera të trajtuara në sesionin e mbyllur kundërshtia e Berishës për t’i ndaluar hyrje në Britaninë e Madhe rrëzohet.”