Arbëri

Targat “Kosova është Serbi” në shitje, në emër të “ndihmave humanitare”

Ushtarët malazias që u arrestuan për nxitje të urrejtjes në Kosovë patën targa që kanë të ngjarë të jenë shitur nga organizata serbe që mbahen si humanitare e shesin korniza të targave me mbishkrimin “Kosova është Serbi”. Organizata të tilla sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, paraqesin ndikim të jashtëm negativ në vende siç është Kosova dhe Mali i Zi

Dy ushtarët e Ushtrisë së Malit të Zi, Rajko Krivokapiq e Dragutin Llallatoviq, si dhe një shtetas tjetër malazias me inicialet M.J., janë në paraburgim që nga 24 nëntori pasi në veturën e tyre mbajtën targa me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në mes të Deçanit. 

Por, targat me mbishkrime te tilla shihen rregullisht nga “Srpska Solidarnost”, që e përshkruan veten si organizatë humanitare me seli në Beograd. 

Kjo organizatë u ka bërë thirrje si qytetarëve të Serbisë, ashtu edhe atyre të Bosnjë-Hercegovinës e Malit të Zi të blejnë korniza të tilla.

“Srpska Solidarnost” i shet këto targa në emër të ndihmës humanitare për fëmijët serbë në Kosovë, të cilëve edhe u ndan bursa, si dhe i ekspozon në rrjete sociale.

Jeta Loshaj, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se organizatat që thirren si humanitare nuk janë të pazakonta për Ballkanin dhe kanë synime dashakeqe në raport me Kosovën. 

Ajo thotë se organizata të këtilla janë shembull i ndikimit negativ të jashtëm nga i cili preket Kosova dhe rajoni. 

“Nuk është hera e parë që dëgjojmë për një qendër të ashtuquajtur humanitare të atillë në Serbi. Është përmendur qe sa vite Qendra Humanitare në Nish dhe ajo është e Rusisë dhe shumë njohës të politikave të jashtme gjithmonë e kanë vënë në pikëpyetje esencën e asaj qendre dhe kur kanë marrë çfarëdo përgjigje, përgjigja ka qenë se ajo është vetëm për të ndihmuar, për çështje materiale dhe nuk ka ndonjë synim të ndikimit diplomatik apo diçka e tillë, mirëpo mendoj që kjo është një ndër metodat e shumta të asaj që në marrëdhënie ndërkombëtare quhet “soft poëer” apo “fuqi e butë” për ta shtruar ndikimin e vet. Tash për këtë qendër akoma nuk mund të spekulojmë se a është e mbështetur nga Rusia edhe pse në qoftë se e shikon faqen aty e sheh që ekziston mundësia edhe për të dhënë donacione përmes rublave”, ka thënë Loshaj.

Ajo thekson se krahas Serbisë, Rusia shpesh edhe më ashpër synon ta rrënojë në sferën publike imazhin e Kosovës si shtet dhe synon t’i paraqesin autoritetet kosovare si shtypëse të identitetit serb. 
Loshaj pohon se organizatat e këtilla që veprojnë edhe në Kosovë duhet të jenë në monitorimin e institucioneve. 

Tre malaziasit e arrestuar në Deçan janë bërë temë në Mal të Zi. 

Partitë pro-serbe kanë kërkuar publikisht lirimin e tyre dhe i kanë kërkuar edhe deputetit shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, Ilir Çapunit, që të ndikojë në lirimin e tyre. 

“Çfarë do të ndodhte sikur ne do të reagonim tani në mënyrë reciproke, në mënyrën se si reagoi qeveria në Prishtinë, ngase në Ulqin, për çdo verë, mund të shihen klipe ku promovohet Shqipëria e Madhe dhe këndohen këngë kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?”, pati thënë Milan Knezheviq, deputet i DNS-së në Kuvendin e Malit të Zi. 

Në këtë ishte përgjigjur Ilir Çapuni, po ashtu deputet në Kuvendin e Malit të Zi. 

“Dhe në fund, zotëri Knezheviq dhe të gjithë kolegët e qytetarët e Malit të Zi, Kosova po që është shtet i pranuar, në Kosovë mund të shkoni me letërnjoftim, në mënyrë paqësore, si qytetarë dinjitozë të këtij shteti, do të priteni me mirësi, por ju lutem as mos mendoni se ai shtet nuk do të reagojë në vizita të padëshiruara apo në vizita sikurse ishte ajo në Banjskë apo vizitat me shenja të ndryshme, siç ishte pra me rastin e qytetarëve tanë”, ka thënë deputeti i partisë “Forca”. 

Qeveria e Kosovës e as Policia nuk janë përgjigjur në pyetjet nëse janë në dijeni të aktiviteteve të organizatës “Srpska Solidarnost” në Kosovë. 

As Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi nuk ka treguar nëse i lejon targat që nxisin urrejtje ndaj shqiptarëve.