Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka gabuar kur foli për rolin e gjuhës shqipe në Maqedoni, duke shtuar se kërkesa është që të ndryshohet ligji.
Sipas Taravarit, në ligjin për gjuhët është specifikuar që gjuhë zyrtare konsiderohet ajo që flitet nga mbi 20 për qind e popullatës, e sipas tij, kërkesa është që të hiqet përqindja.
Taravari, kryetar i partisë Aleanca për Shqiptarët, ka shtuar se problemin e kanë me tri nene të Ligjit për gjuhët.
“Kryeministri Albin Kurti ishte i saktë, nuk është Ligji për gjuhën shqipe. Në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe ajo që e flasin mbi 20 për qind e popullsisë që e flasin. Në ligj qëndron edhe gjuha shqipe. Gabimi strategjik si shqiptar është se nuk insistuam në momente të caktuara që të tërhiqet 20 përqindëshi”, ka thënë Taravari në "Interaktiv" të KTV-së.
Ai ka akuzuar politikanin shqiptar, Ali Ahmeti që s’ka bërë asgjë në këtë drejtim, duke shtuar se ka qenë në pushtet viteve të kaluara.
Duke folur për marrëveshjet e nënshkruara të hënën mes dy qeverive, Taravari tha se njëra prej tyre është shkëmbimi i kuadrove mjekësore.
“...Për transfuzion të gjakut që të kemi këmbim të grupeve të gjakut që iu mungojnë dy shteteve dhe këmbim të pacientëve, ku Kosova ka përvojë më të mirë të dërgohen nga Maqedonia e Veriut dhe nga Maqedonia në Kosovë”, shtoi ministri i Shëndetësisë.