Rregullorja e BQK-së

Takimi për dinarin, me kusht që palët të tregohen konstruktive në propozimin e Lajçakut

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se takimi i javës së ardhshme në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve do të mbahet me kushtin që palët të tregohen konstruktiv lidhur me propozimin e emisarit Lajçak për zgjidhje të përkohshme të zbatimit të rregullores së BQK-së në lokalitetet serbe. Së fundi emisari i Gjermanisë, Manuel Sarrazin, e quajti legjitim vendimin, por mënyra si u zbatua rregullorja në veri, sipas tij, ishte shumë jogjermane

Takimi i javës së ardhshme në Bruksel do të mbahet me kushtin që palët të tregohen konstruktive në pranimin e propozimit të emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Megjithëse nuk kanë treguar për përmbajtjen e propozimit, zyrtarë të BE-së thanë se ai implikon zgjidhje të përkohshme për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës në mesin e komunitetit serb. 

“Lehtësuesi i BE-së planifikon të thërrasë një takim tjetër javën e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve për të diskutuar një zgjidhje të përkohshme lidhur me çështjet e shkaktuara nga rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës, me kusht që palët të jenë të gatshme të angazhohen mbi bazën e ideve të paraqitura nga Lehtësues i BE-së. Data e takimit do të bëhet publike pasi të konfirmohet”, ka thënë Stano.  

Rregullorja e re që njeh vetëm euron si valutë zyrtare në operacionet me para të gatshme, nxiti reagimin e serbëve të cilët e kanë shfrytëzuar dinarin për operacione të tilla. Sipas tyre, ky ishte vendimi i radhës i Qeverisë së Kosovës që ka për qëllim vështirësimin e jetesës së serbëve.

“Zbatimi i rregullores në mënyrë jo gjermane”

Ky shqetësim i është transmetuar edhe Emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili të enjten takoi përfaqësues të Listës Serbe. Sarrazin e ka cilësuar veprim legjitim rregulloren, por mënyra e zbatimit, sipas tij, nuk është e duhura. 

“Jemi njohës të pavarësisë së Kosovës. Po ashtu e kuptojmë se është pretendim legjitim por mënyra si u bë është shumë jogjermane. Me të vërtetë besoj se secili qytetar i Kosovës duhet ta ketë të lehtë të jetojë këtu, ky duhet të jetë qëllimi i politikanëve të punojnë për të mirën e njerëzve dhe personalisht mendoj se kjo vlen për qytetarët serb të Kosovës në veri”, është shprehur Sarrazin. “Duhet zgjidhur kjo çështje në mënyrë që qytetarët ta kenë një jetë normale dhe jo probleme që krijohen nga politika. Nuk mendoj se serbët kanë diçka kundër euros, por nëse duhet të paguash tarifa shtesë ose duhet të udhëtosh për tërhequr para është diçka që sjell shqetësim”. 

Megjithëse Sarrazin gjatë një takimi me gazetarë konfirmoi se qëllimi i vizitës ishte diskutimi i çështjeve aktuale që çuan në paralajmërimin e Listës Serbe për bojkot të votimit për largimin e kryetarëve, në komunikatën e qeverisë as që u përmenden këto çështje. Sipas njoftimit të Zyrës së kryeministrit, kryeministri Albin Kurti me Sarrazinin diskutoi për takimin e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit. 

“Duke folur për pritjet nga samiti i radhës, kryeministri theksoi rëndësinë që marrëveshjet e arritura në Procesin e Berlinit të zbatohen plotësisht duke përfshirë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID kartë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës. Në takim u bisedua edhe për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë në adresimin e përbashkët të tyre”, thuhet në komunikatë.

Katër takime në pesë javë

Me gjithë insistimin e qeverisë së zbatimi i rregullores nuk ka kthim prapa, SHBA e BE-ja vazhdojnë të insistojnë në gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme. 

Më 4 prill, Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, priti kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një rund tjetër diskutimesh për të adresuar implikimet e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për paratë e gatshme, për komunitetin serb të Kosovës. Ky ishte takimi i katërt për këtë temë në pesë javët e fundit. 

Meqenëse palët nuk mund të kapërcenin dallimet në propozimet e tyre, Lajçaku ka paraqitur idetë e tij mbi të cilat mund të bazohej një zgjidhje e përkohshme. 

Zyrtarë të BE-së kanë deklaruar më herët se një zgjidhje e përhershme duhet të negociohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. 

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte deklaruar pas takimit se e pranoi propozimin e emisarit të BE-së, por është Serbia që ka kërkuar kohë shtesë.

Me gjithë kundërshtimin e BE-së dhe SHBA-së, Rregullorja e BQK-së hyri në fuqi më 1 shkurt të këtij viti. Sipas BQK-së, valutat tjera jo euro mund të përdoren në Kosovë vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor.

Për shkak të mospërfilljes së kërkesës amerikane, ambasadori Jeffrey Hovenier dhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, patën deklaruar se SHBA-ja nuk do të mund ta trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar paraprakisht.

Pas kritikave, Qeveria paralajmëroi një fazë tranzicioni me një listë prej 10 masave, në mënyrë që qytetarët serbë të mos dëmtohen në fazën kalimtare deri te zbatimi i plotë i Rregullores së re. 
Veç negociatave që po zhvillohen në Bruksel për këtë çështje, serbët e kanë sfiduar rregulloren edhe në Gjykatën Kushtetuese. 

Ky institucion më 20 shkurt të këtij viti ka pranuar “vetëm formularin e kërkesës” parashtruar nga avokati, Vasilije Arsiq i cili konteston kushtetutshmërinë e nenit 35 të Rregullores së BQK-së për operacione me para të gatshme. Sipas tyre, pretendimi është për shkeljen e 12 neneve të Kushtetutës.