Në Bruksel sot zhvillohet takimi i parë inaugurues i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të zhdukurit.
Ngritja e këtij komisioni është bërë në bazë të një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta. Se kush janë, mund të lexoni këtu.
Në takim, delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga Halil Cenaj, bëri të ditur kryetari i Komisionit qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.
“Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur. Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar te Vuçiq, dhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë. Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese 'Deklaratës për Persona të Zhdukur' e miratuar më 2 maj 2023”, tha Hoti.
Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak në një postim në Facebook, të hënën, veç takimit të paralajmëruar, tha se ditët e para të këtij viti i priti me mision në Shtetet e Bashkuara, ku është njoftuar me zyrtarë të lartë të shtetit, me të cilët tha se ka diskutuar për nevojën për avancim në dialog.
“Misioni im i parë i vitit më çoi në SHBA. Në Uashington, D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit... Përsëri në Bruksel, fokusi i kësaj jave do të jetë te Personat e Zhdukur me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët”, ka shkruar Lajçak.
Lajçak: Kosova prezantoi prioritetet, Serbia s’mori pjesë në takimin e përbashkët
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar për dështimin e takimit të parë të Komisionit të përbashkët për persona të zhdukur.
Në një shkrim në “X”, Lajçak ka thënë se është takuar veçmas me të dyja palët, por Serbia nuk mori pjesë në takimin e përbashkët. Emisar sllovak ka shkruar se Kosova i ka prezantuar prioritetet.
“Sot synuam të mbajmë mbledhjen e parë të Komisionit të Përbashkët për Persona të Zhdukur në nivel komisionesh. Jam takuar veçmas me të dyja palët. Kosova prezantoi prioritetet e saj. Serbia ka njoftuar për mospjesëmarrje në një takim të përbashkët për shkak të zhvillimeve në Kosovë”, ka shkruar Lajçak.
Hoti: Petkoviq orkestroi dështimin e takimit të Komisionit të përbashkët për të zhdukurit
Kryetari i Komisionit qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka akuzuar Serbinë për mosgatishmëri për të bashkëpunuar për personat e zhdukur, pasi kryenegociatori serb Petar Petkoviq braktisi takimin e parë të Komisionit të përbashkët për të zhdukurit të mërkurën, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Arsye e braktisjes së takimit nga pala serbe ka qenë “dhuna e institucioneve të Prishtinës dhe Albin Kurtit ndaj serbëve dhe mbyllja e institucioneve të Serbisë në Kosovë”, duke iu referuar aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës për mbylljen e strukturave paralele gjithandej Kosovës.
Por në një status në Facebook, Hoti ka thënë se arsyetimi i Serbisë nuk ka të bëjë asgjë me temën për çka janë thirrur sot në Bruksel.
“Arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje në takim përveç që është banal, është edhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes se fatit të personave të zhdukur, dhe nuk ka të bëjë asgjë me temën që sot janë thirrur në Bruksel. Kjo demonstron për të disatën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme. Kjo tregon edhe njëherë politizimin e tejskajshëm të Serbisë në raport me çështjen e personave të zhdukur”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.
Ai ka thënë se kryenegaciatori Petkoviq ishte i pranishëm në Bruksel dhe e akuzoi për okestrimin që takimi të dështonte. Madje, nuk e kupton pse Petkoviqi do ta përfaqësonte Serbinë në takimin për të zhdukurit.
“Sot, më 15 janar 2025, ishte planifikuar që të mbahej takimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në Bruksel ashtu siç është paralajmëruar. Megjithatë, takimi nuk u realizua për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë në këtë takim, edhe pse takimi kishte qenë planifikuar para dy javëve. Kryenegociatori i Serbisë ishte i pranishëm në Bruksel, pavarësisht që nuk e kam të qartë çfarë ka kërkuar aty, pasi që takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e Personave te Zhdukur, dhe formati ka qenë me zëvendësues te Komisioneve. Prania e Petkoviq në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit”, ka shkruar tutje ai.
Sipas Hotit, delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Halil Cenaj ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe ka parashtruar kërkesat sipas agjendës së parashikuar, “dhe për këtë kemi marrë njoftimin nga Lajçak që do të raportohet konstruktiviteti ynë dhe kërkesat tona te vendet anëtare të BE-së”:
“Ne vazhdojmë të kërkojmë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e Personave të Zhdukur, duke shpresuar në bashkëpunimin e plotë të të gjitha palëve të përfshira”, ka shkruar Hoti.
Petkoviqi ka braktisur takimin e Komisionit të përbashkët për të zhdukurit
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, raportohet se e ka lëshuar takimin e Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të zhdukurit, që ishte paraparë për sot në Bruksel.
Siç ka deklaruar kjo zyrë, arsye e braktisjes ka qenë “dhuna e institucioneve të Prishtinës dhe Albin Kurtit ndaj serbëve dhe mbyllja e institucioneve të Serbisë në Kosovë”.
RTS-ja ka raportuar se delegacioni ka thënë që “nisja e implementimit të marrëveshjes është e pamundshme nën kushtet aktuale të krijuara prej Kurtit sot, të bëra qartë me qëllimin për të minuar dialogun dhe marrëveshjen për të pagjeturit”.
Petkoviq ndërkohë tha se u largua nga diskutimet kur ka marrë vesh, siç tha ai, për “dhunën e re institucionale ndaj serbëve”.
“Kurti nuk dëshiron dialog, por dhunë dhe konfrontim të drejtpërdrejtë mbi popullin serb në Kosovë e M.”, tha Petkoviq, raporton "RTS".
Sot ishte paraparë takimi i parë i këtij komisioni të përbashkët.
Ngritja e këtij komisioni është bërë në bazë të një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta. Se kush janë, mund të lexoni këtu.
Në takim, delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga Halil Cenaj, bëri të ditur kryetari i Komisionit qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.