Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shprehur vlerësimin për rekomandimet që i ka dhënë presidentja Osmani gjatë takimit në New York, rreth zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Zotimin për zbatimin e plotë të marrëveshjeve e dha kryeministri Albin Kurti, në takimet me diplomatët euro-perëndimorë, por zyrtarë nga Serbia nuk e bënë këtë. E sipas njohësve të zhvillimeve politike, pa një presion më të madh mbi palët, nuk mund të pritet zbatimi i ndonjërës prej pikave të marrëveshjeve
Zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara (SHBA) tentuan t’i japin shtytje zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, në takimet e zhvilluara me liderët e Kosovës në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Por referuar qëndrimeve që shfaqi pala serbe, ka pak pritje se do të ketë zbatim të ndonjërës prej pikave për të cilat janë dhënë zotime.
Pas kryeministrit Albin Kurti, Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ai i ka vlerësuar rekomandimet që ka thënë se Osmani i ka dhënë për zbatimin e Aneksit të Ohrit, pa i përmendur se cilat janë ato.
“Para se të kthehem në Bruksel, takova presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të diskutuar situatën aktuale në procesin e normalizimit. Vlerësova mendimet dhe rekomandimet e saj për mënyrën se si të zbatohet Marrëveshja e Ohrit”, ka shkruar Lajçak në “X”.
E në takim me kryeministrin Kurti pjesë e të cilit ishte edhe ndihmëssekretarin amerikan të shtetit, Jim O’Brien, diplomatëve euro-perëndimorë iu rikonfirmua përkushtimi i Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit, si dokumente të plota.
Lajçak takoi dy ditë më parë edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të diskutuar zhvillimet e fundit në kuadër të dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Këtë mëngjes fola me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Diskutuam në detaje për ngjarjet e fundit në dialog dhe nevojën për riangazhimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në dritën e Planit të Rritjes së BE-së për rajonin”, pati shkruar Lajçak “X”.
Ligjëruesi i Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu thotë se duhet presion më i madh nga ana e BE-së dhe SHBA-së për zbatimin e marrëveshjeve.
“Dialogu ka përfunduar, marrëveshja veç është bërë në mes të Kosovës dhe Serbisë mbi bazën e planit franko-gjerman. Është niveli i autonomisë për serbët përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Po ashtu është përcaktuar dhe të gjitha këto janë të definuara. Zbatimi varet nga presioni që Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund t’ia bëjnë Serbisë. Nuk është më çështje teknike e diplomacisë, por është më shumë çështje e vullnetit të fuqive të mëdha perëndimore nëse duan që Serbinë me e shtrëngu ose jo”, ka thënë Spahiu. “Plani i Ahtisaarit është bërë në mënyrë të tillë që Kosova t’i bëjë disa provizione, lëshime, sikurse decentralizimin, autonominë e serbëve në kulturë, objekte fetare, shëndetësi, arsim – thjeshtë që në këmbim Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Por Serbia nuk e ka pranuar këtë plan dhe Kosova ka shkuar direkt në zbatimin e këtyre obligimeve që kanë rrjedh nga kjo marrëveshje pa e bërë Serbia hapin e duhur. Kësisoj, Kosova është detyruar që të bëjë lëshime të mëtutjeshme, dhe të dalë përtej planit të Ahtisaarit me Asociacionin që është një nivel më i lartë i autonomisë së serbëve të Kosovës sesa që e ka përcaktuar Ahtisaari”.
Ai ka shtuar se deri më tani Serbia nuk është treguar e vullnetshme për zbatimin e marrëveshjes.
“Lidershipi politik i Kosovës e ka premtuar zbatimin e kësaj marrëveshje, pjesën e saj, përmes letrave që i kanë dërguar Këshillit të Evropës. Mirëpo nuk mundet që Kosova veresi ta kryejë pjesën e vet të marrëveshjes dhe të presë nëse Serbia e kryen ose jo pjesën e saj të marrëveshjes”, ka theksuar Spahiu.
Nga ana tjetër, zyrtarët serbë në asnjërin prej deklaratave nuk kanë përmendur zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.
Presidenti Aleksandër Vuçiqi e ministri i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, folën më shumë për, siç kanë thënë, shkeljen e të drejtave të serbëve dhe rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial, pjesë të të cilit e konsiderojnë edhe Kosovën.
“Ne i drejtojmë mesazhet tona të gjithëve. Dhe atyre që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe ndonjëherë ne investojmë intensitet shtesë në përmirësimin e dialogut me ato vende pikërisht sepse duam të thellojmë mirëkuptimin e situatës sonë”, ka thënë Gjuriq për “Zërin e Amerikës”.
E, sipas Spahiut, referuar qëndrimeve të Serbisë vështirë se mund të ketë zbatim të marrëveshjes.
“Për Serbinë është interes krijimi i asociacionit. Për Kosovën është interes hapja e misioneve të përhershme diplomatike në Beograd dhe Prishtinë, që nënkupton njohjen në heshtje nga ana e Serbisë. Kjo është çështja. Tani, nëse kjo do të bëhet ose jo, kur do të bëhet – varet prej vullnetit të Serbisë. Kosova ka treguar vullnet se mund ta bëjë këtë. Kosova nuk deshi që për anëtarësim në Këshillin e Evropës ta themelojë Asociacionin, sepse kjo e rrezikonte pazarin përfundimtar që tashmë veç është të arritur”, ka thënë ai. “Kosova është detyruar që të bëjë lëshime të mëtutjeshme, edhe të dal përtej planit të Ahtisaarit me Asociacionin që është një nivel më i lartë i autonomisë së serbëve të Kosovës sesa që e ka përcaktuar Ahtisaari. Thjesht nëse ne vazhdojmë kështu, fundi nuk i dihet”.
Me gjithë paralajmërimin e zyrtarëve të Brukselit se integrimi i Kosovës dhe Serbisë në BE është i kushtëzuar me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, deri tash asnjëra prej pikave të dakorduara nuk ka gjetur zbatim.