Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar që të shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, që javën e kaluar u arrestua me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konfliktit të interesit.
Tahiri tha të hënën para mediave se bashkë me Krasniqin duhet të shkarkohet edhe Bordi i KEK-ut për keqmenaxhim të krizës së energjisë elektrike dhe keqpërdorime.
“Ajo që kemi kërkuar edhe ditën e enjte që ky person të shkarkohet. Bordi i KEK-ut të shkarkohet dhe të merren masa edhe ndaj akterë të tjerë që janë përfshirë në kuadër të menaxhimit të krizës të energjisë me ato keqpërdorimet që kanë ndodhur. Për ne si deputetë është e papranueshme që kryeshefi, që është në paraburgim, vazhdon të jetë edhe në krye të Korporatës”, deklaroi ai.
Sipas deputetit të PDK-së, keqpërdorimet në KEK janë disa milionëshe dhe qëndrimi i Krasniqit në postin e kryeshefit është i paprecedentë.
I pyetur për situatën në veri, deputeti i partisë opozitare tha se ishte obligim i tyre që t’iu ofronte qytetarëve të atyre komunave kandidatë për zgjedhje.
“E dimë gjendjen në atë pjesë... Mirëpo, ka qenë obligim i yni që më paq sa ka votues t'i ofrojmë kandidatë dhe pavarësisht epilogut, t'i mbajmë të angazhuar politikisht ata qytetarë. Shohim një angazhim të madh të Serbisë në atë pjesë të Kosovës, një manipulim të madh që po ua bën qytetarëve serbë. Ata nuk shohin nga e ardhmja, por kanë vendosure të shndërrohen në një instrument të Beogradit. S'na gëzon që kemi një situate çfarë kemi, s'na gëzon fakti që kemi një ndikim kaq të madh të Beogradit. Dimë të dallojmë legjimitetitin nga legaliteti”, deklaroi ai.
Kryesia e Kuvendit s’pati kuorum të hënën për ta mbajtur mbledhjen të hënën.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se është e papranueshme dhe e papërgjegjshme mungesa e vazhdueshme e deputetëve të opozitës në seanca plenare dhe në mbledhjet e Kryesisë.
Ajo njoftoi se deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci është në pushim të lehonisë, ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, nuk mori pjesë në mbledhje pa ndonjë arsyetim

Kusari-Lila tha se arsyetimet se pozitës i takon të bëjë shumicën nëpër mbledhje më nuk vlejnë.
“E konsiderojmë të papranueshme dhe tërësisht jopërgjegjshme abstenimin e vazhdueshëm të opozitës qoftë nga votimet në seancat plenare qoftë në mbledhjet e Kryesisë. Arsyetimet se pozita mban përgjegjësinë tashmë nuk pinë ujë. Rrethanat në të cilat karakterizohet puna dhe përgjegjësitë që i marrin deputetët kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me miratimin e projektligjeve, me votimin e ndryshëm të raporteve dhe diskutimeve në Kuvend. Në vend që të kryejnë punën që janë zgjedhur, kanë vendosur të luajnë rolin edhe të prokurorit dhe të hetuesve policorë”, deklaroi ajo.
Sipas Kusari-Lilës, kur ngrihet aktakuzë, element i parë është prezumimi i pafajësisë ndaj të akuzuarit, e kjo siç tha ajo, duhet të vlejë edhe ndaj kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, që u arrestua javën e kaluar për tri vepra penale.
“Në momentin kur ngrihet një aktakuzë elementi i parë është prezumimi i pafajësisë, siç është rasti me arrestimin e drejtorit të KEK-ut dhe përzierja në fakte dhe argumente nuk lejohet as me Ligjin parlamentar”, tha ajo.