Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se sesioni pranveror i Kuvendit është përmbyllur me rreth 30 pika të papërfunduara. Sipas tij kjo tregon për efikasitetin e punës së Kuvendit.
“Sesioni pranveror ka filluar në fund të janarit të këtij viti me mbi 30 pika të papërfunduara të sesionit vjeshtor dhe po ashtu po e mbyllim këtë sesion me diku 30 pika të papërfunduara. Kjo tregon për efikasitetin e punës së këtij Kuvendi”, ka deklaruar Tahiri të premten në një konferencë për media.
Ai ka thënë se ky sesion ka qenë periudhë e fitoreve të betejave kushtetuese të PDK-së në mbrojtje të interesit publik dhe vlerave të shtetit demokratik.
Sipas tij Grupi Parlamentar i PDK-së është angazhuar në vazhdimësi që të ndalë projektet dhe iniciativat, sipas tij, të dëmshme të Qeverisë Kurti.
Tahiri ka thënë se Qeveria e ka shpërfillur Kuvendin dhe e ka braktisur përgjegjësinë dhe llogaridhënien para qytetarëve.
Ai ka deklaruar se PDK-ja ka fituar disa beteja kushtetuese.
“Beteja e parë që ka të bëj me Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ishte një iniciativë që binte ndesh me rendin tonë kushtetues që Gjykata Kushtetuese u dha të drejtë pretendimeve tona. Dhe, në anën tjetër ishte edhe Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, e cila ishte një iniciativë për ta rrënuar shërbimin civil në Republikën e Kosovës, një investim 20 vjeçar nga fondet tona si taksapagues të shtetit dhe nga fondet e BE”, ka theksuar Tahiri.
Ai ka thënë se gjatë këtij sesioni PDK-ja ka propozuar themelimin e katër komisioneve hetimore, atij “për shlyerjen e borxheve milionëshe ambalazhuesve të ujit nga Ministria e Mjedisit, për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit dhe zjarret në IML, për kontratat njëburimore nëpër ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore dhe për subvencionimin e teksteve shkollore”.