Shefi i Grupit Parlament të Aleancës për Ardhmëri të Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka krahasuar rrugën Prishtinë – Podujevë me rrugë në Kandahar.
Ai ka thënë se gati situata e njëjtë është edhe në rrugët për Gjakovë, Mitrovicë e Gjilan.
“Rruga për Podujevë është bërë si rrugë për Kandahar, e rrezikshme, e dëmshme për njerëz e vetura dhe gati e patejkalueshme. Pothuajse në të njëjtën gjendje janë edhe rrugët për Gjakovë, Mitrovicë e Gjilan, pra në të katër anët e Kosovës rrugët janë të bllokuara, ndërsa lavdet nuk ndalen”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Tahiri e ka quajtur qeverinë aktuale të paaftë “për të bërë punë të hajrit”.
“Mirë është që në këta muajt që i kanë mbetur kësaj qeverie të përfundojë ndonjë rrugë dhe të del me diçka konkrete në këtë 4 vjeçar. Përndryshe, po shihet që ky kabinet qeveritar është i pazot me punu diçka të hajrit për vendin”, ka shkruar Tahiri.