Arbëri

Tahiri: Rritja e paralajmëruar e pagave, s’i mbulon dështimet e Qeverisë

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Foto: Alban Bujari

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se rritja e paralajmëruar e pagave prej 55 eurosh nga janari në sektorin publik dhe 55 të tjera nga korriku “nuk i mbulon dështimet në ekonomi dhe rënien e standardit të jetesës”.

“Kjo rritje e premtuar është tejet e vogël për të sanuar sado pak nivelin e varfërisë së ekonomive familjare i cili është rezultat i rritjes së çmimeve të produkteve, çmimit të energjisë elektrike, rritjes së tatimit në pronë dhe politikave të gabuara që kjo qeveri i ka miratuar”, ka thënë Tahiri në një shkrim në Facebook.

Tahiri pas kësaj iu kthye fushatës për zgjedhjet e shkurtit. Ai ka thënë se kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, sa ishte ministër i Financave i kishte rritur pagat në përqindje më të madhe.

“Ndërkaq, në kohën kur financat e shtetit i menaxhonte Bedri Hamza, asokohe Minister financash, ne pak muaj Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, i rriti pagat e mjekëve 87%, të arsimtarëve 89% pagat e infermierëve 133%, pagat e policëve 139% dhe të gjitha kategorive të tjera shoqërore. Në të njëjtën kohë, pa marrë asnjë cent borxh, kemi ndërtuar dy autostrada që kanë transformuar vendin, kemi sjellur investitorë të medhenj në aeroport dhe energjetikë dhe kemi zvogëluar papunësinë për 30%. Këto nuk janë statistika propagandistike. Të gjithë qytetarët i mbajnë ne mend rritjet e pagave nga Bedri Hamza, në qeveritë e udhëhequra nga Kryeministri Thaçi. Koha e premtimeve të kesaj qeverie në shkuarje ka kaluar. Koha e përparimit dhe ndryshimit po vjen me 9 shkurt”, ka shtuar Tahiri.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, në një reagim në Facebook ka thënë se rritja e pagave në sektorin publik nga janari e dëshmon më së miri modelin  e Qeverisë Kurti.

Sipas tij, të gjitha vendimet e kësaj qeveria janë gjysmake, “ashtu siç qeverisin”.

“Ndryshimi për gjysmë koeficienti në pagat e sektorit publik përfaqëson më së miri modelin e qeverisjes Kurti. Gjithçka gjysmë, asnjë vendim i plotë, asnjë veprim i plotë, asnjë masë e plotë, asnjë reformë e plotë – asgjë e plotë.  Një qeverisje gjysmake, nga qeveritarë gjysmakë, siç është edhe ky koeficient gjysmak për pagat në sektorin publik.  9 shkurti po afron, dhe bashkë me të do të vijë edhe ndryshimi i plotë!”, ka shkruar Gashi.