Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria aktuale e ka nisur dhe do ta përmbyllë mandatin me shkelje, duke lënë kaos në administratën e shtetit.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Tahiri ka renditur disa nga shkeljet, që sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se i ka bërë Qeveria sa i përket Ligjit për Paga në sektorin publik.
“Shkeli parimin e sigurisë juridike të punonjësve. Shkeli parimin e barazisë para ligjit duke parashikuar paga dhe kompensime të ndryshme për punë dhe përgjegjësi të ngjashme. Shkeli të drejtën për t’u konsultuar të atyre që preken nga ligji, duke shkelur edhe kërkesat sindikale. E gjithë procedura u zhvillua pa asnjë konsideratë për aspektin dhe kapacitetin financiar e buxhetor, dhe pa asnjë referencë ndaj ligjeve të tjera. Shkeli të drejtën e klasifikimit të pagës si e drejtë pronësore e subjekteve punëmarrëse, e jo si pronë e qeverisë. Duke shkelur të drejtën e pronës, qeveria shkeli parimin se prona mund të preket vetëm në rrethana legjitime dhe të jashtëzakonshme”, ka shkruar ai.
Tahiri ka shtuar se kanë kaluar mbi gjashtë muaj që Kushtetuesja i ka dhënë afat Qeverisë “për t'i korrigjuar këto shkelje”, por sipas tij, Qeveria vazhdon që pasivisht t'i afirmojë shkeljet e veta, “sepse nuk ka asnjë interes të bëjë diçka ku nuk sheh hapësirë për ndëshkim dhe penalizim të sektorit publik”.