Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se deputetët duhet të vijnë me një raport përfundimtar për kontratat burimore e që sipas tij kjo çështje të kanalizohet drejt Prokurorisë.
“Ajo që është e rëndësishme është që ne si deputetë duhet te vijmë në një përfundim me një raport përfundimtar që ta kanalizojmë këtë çështje drejt Prokurorisë. Është e rëndësishme që sot ky Komision hetimor të themelohet dhe të bëjë punën e vet me hetim parlamentar”, ka thënë Tahiri.
Ai ka kritikuar mungesën e ministrave në seancë, “të cilët kanë qenë nënshkruesit më të mëdhenj të kontratave”. Gjatë deklaratës, në Kuvend erdhën ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.