Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se njohja e pasaportave ilegale për serbët në Kosovë nga ana e Bashkimit Evropian paraqet precedent të rrezikshëm dhe goditje të madhe për shtetin.
Përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri ka thënë se ky veprim përligj dhe legjitimon një autoritet të huaj dhe saboutes.
"Njohja e pasaportave të lëshuara nga institucionet e Serbisë nga ana e BE-së, për një numër të qytetarëve tanë, paraqet një precedent të rrezikshëm dhe një goditje e madhe ndaj shtetit tonë. Ky veprim përligj dhe legjitimon një autoritet të huaj dhe saboutes, dhe si i tillë lejon goditjen dhe ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë në sovranitetin institucional të Republikës së Kosovës nga ana e strukturave serbe. Kjo, nuk ka asgjë të bëjë me të drejtat e njeriut dhe as me ofrimin e mundësive të barabarta, sepse ato i ofron Kosova në nivelin më gjithëpërfshirës dhe më ekskluziv për serbët e Kosovë", ka thënë Tahiri.
Sipas tij, kjo ndodhi sepse Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ishte e zënë me populizëm, me luftimin e mediave të lira, me ngulfatjen e demokracisë.
"Kjo nuk ndodhi në një ditë, kjo ndodhi sepse kjo qeveri ishte e zënë me populizëm, me luftimin e mediave të lira, me ngulfatjen e demokracisë, duke mos pasur kohë për informim dhe afirmim të pozicioneve tona shtetërore në instancat e BE-së. Kjo ndodhi sepse krerët tanë institucional, ishin të zënë me ping pongun me temën e asociacionit. Harruan se Serbia vepron hapur dhe në fshehtësi!", është shprehur Tahiri.
Para pak ditësh, Këshilli i BE-së vendosi t’ia liberalizojë vizat serbëve të Kosovës që kanë pasaporta ilegale. Opozita e ka bërë fajtore Qeverinë, ndërsa ekzekutivi ka thënë se vendimi është i pazbatueshëm.