Në Podujevë, koalicioni për “Kosovën Fituese” ka adresuar një varg kritikash për qeverinë aktuale. Në tubimin elektoral ndonëse mungoi kandidati për kryeministër, bashkë partiakët e tij u kërkuan votën llapjanëve edhe për ta përfunduar autostradën Prishtinë-Podujevë.
Edhe në Podujevë, koalicioni mes AAK-së, Nismës, Intelektualëve, Konservatorëve e Ideal ka mbajtur tubim elektoral pa praninë e kandidatit për kryeministër, Ramush Harandinaj, i cili ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit Donald Trump.
Krahas kandidatit për kryeministër, në tubim nuk morën pjesë as udhëheqës të partnerëve të tjerë të koalicionit.
Haradinajn u përkujdesën për ta përshëndetur bashkëpartiakët e tij.
“A mundeni me u ngrit të gjithën në këmbë e me një aplaus të madh me e përshëndet Ramush Haradinaj në Washington”, ka thënë Besnik Tahiri i AAK-së.
E praninë e Haradinajt në SHBA, Tahiri e shfrytëzoi që t’ua kërkojë votën llapjanëve.
“Kosova sot e meriton një lidership që guxon pra një lidership të mençëm që me përkrahje të miqve, të SHBA di të marr vendime me peshë historike. Gjenerali Ramush Haradinaj dhe kryeministri në ardhje sot është në SHBA, në inaugurimin e presidentit Trump, kjo sepse miqtë e vërtetë vlerësojnë, ata çmojnë mirënjohjen, besnikërinë, punën dhe sinqeritetin. Mashtruesit nuk kanë dyer për të trokitur, nuk hapin rrugë të reja, sepse nuk dinë të ecin përpara, dinë vetëm të mashtrojnë”, ka shtuar ai.
Duke ironizuar me një premtim të kryeministrit Albin Kurti, kandidatët e këtij koalicioni thanë se qeverisja aktuale ka dështuar të ndërtojë autostradën Prishtinë-Podujevë.
“Në fushatë flet për lidhjen e Prizrenit me Tetovën pas 40 dështimesh në rrugën që e lidh rrugën që e lidh Prishtinën me Podujevën, ai flet për projektet dhe tregon fotografi që kalojnë malet e në një rrugë për 4 vjet, të rrafshët e të gjithë hapur kjo Qeveri dështoj të ndërtoj një autostradë, një aks Prishtinë-Podujevë”, ka shtuar ai.
“Llapi duhet me u ba që dikush, nashta ata që nuk na dojnë me na e pas inatë jo me thanë këqyre çka kanë ba. Nuk guxon kështu me mbet kjo rrugë. Nuk po du me e tepru po për nderë nuk guxon. Është edhe për Gjakovë, por po ju betohem unë jam i Gjakovës, por e du Kosovën njëjtë si Gjakovën, në zemër e kam çdo qytet, çdo fshat të Kosovës, ma përpara u dashtë me u kry që kjo sesa naj rrugë tjetër, se që knej na shohin, e na duhet me e dhanë shembullin tonë se qysh hin dikush në Kosovë. Është dashtë me e ba”, ka thënë tutje.
E përmes një shkrimi në rrjetet sociale, kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj ka thënë se Llapi është më i ekspozuar ndaj rreziqeve të sigurisë, duke shtuar se anëtarësimi në NATO do ta minonte këtë rrezik.
Përveç në Podujevë, koalicioni për Kosovën fituese pasditen e së dielës ka mbajtur tubim elektoral edhe në Skenderaj dhe Obiliq.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se koalicioni i tyre mori PO-në në Skenderajn legjendar.