Arbëri

Tahiri: I domosdoshëm formimi i institucioneve me një qasje ndryshe prej 4 vjetëve të fundit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Foto: Alban Bujari

Pas caktimit të datës së seancës konstituive të Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se është koha për “veprim institucional konkret dhe të përgjegjshëm”. 

Derisa ka përmendur disa nga sfidat që i vlerëson se përballet Kosova, ka shtuar se duhet formuar qeveria sa më shpejt e se kandidati i partisë së tij do të ishte zgjidhja më e mirë për këtë. 

“Kosova gjendet sot përballë një sërë sfidash urgjente dhe shqetësuese: Kostoja e jetesës po bëhet e papërballueshme për shumë familje. Qytetarët tanë kanë nevojë për një qeveri që vendos mirëqenien dhe interesat e tyre në qendër të agjendës së saj. Siguria publike është përkeqësuar ndjeshëm. Rritja alarmante e rasteve të vrasjeve dhe krimeve të tjera të rënda po cenon seriozisht e sigurinë në shoqërinë tonë. Sanksionet e Bashkimit Evropian që rëndojnë mbi vendin tonë po dëmtojnë subjektivitetin ndërkombëtar dhe po rrezikojnë të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Tahiri është shprehur se formimi i menjëhershëm i institucioneve të reja “me një qasje ndryshe nga ajo që kemi parë gjatë katër viteve të fundit është më se i domosdoshëm”.