Arbëri

Tahiri: Është hera e parë që një parti bllokon themelimin e një komisioni

Partia Demokratike e Kosovës deklaroi se prej kur është themeluar Kuvendi i Kosovës, kjo është hera e parë që një subjekt politik e bllokon themelimin e një komisioni hetimor. Deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, tha të hënën se deputetët e pushtetit tentuan ta bllokojnë një proces hetimor të rëndësishëm, derisa shtoi se në mesin e ministrave ka persona që kanë kryer vepra penale e keqpërdorime.

“Republika e Kosovës ka një histori sa i përket hetimeve parlamentare. Është një instrument i opozitës që të hedh dritë në gjetjet. Sot edhe ashtu kërkova që për këtë çështje duhet të votohet e të mos ketë debat. Vlen të theksohet se gjatë kësaj periudhe taksa të qytetarëve janë shpenzuar 200 milionë euro, që nuk e dimë saktë për to. Sot Qeveria Kurti ka hapur një debat shumë të madh për një aferë korruptive që u mundua ta ndalojë por opozita ka edhe mundësi të tjera”, tha Tahiri.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, tha se ka pasur abuzime të mëdha për energjinë elektrike, e ky komision, sipas tij, do t’i hetonte ato.

Ai theksoi se tashmë i kanë mbledhur 40 nënshkrimet për ta themeluar këtë komision.

Kryetarja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se komisioni pritej të votohej, mirëpo deputetët e opozitës i filluan diskutimet, ani pse sipas saj, kishin paralajmëruar se nuk do të diskutohej. Tutje, kreu i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se duhet pyetur Qeverinë pse po frikësohet nga një hetim parlamentar.

“A po frikësoheni se keni bërë pagesa për veriun diku 40 milionë e diku më shumë”, tha Tahiri para mediave.