Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se pas zgjedhjeve parlamentare do të ketë qeveri të re që do ta nxjerrë Kosovën nga sanksionet dhe do t’i hapë vendit perspektivë.
Ai ka thënë të hënën se qëndrimet e kryeparlamentarit Glauk Konjufca për Asociacionin e komunave me shumicë serbe janë vetëm qëndrime elektorale “në prag të zgjedhjeve”.
“Vendi do të ketë qeveri të re që do ta nxjerrë vendin nga sanksionet, do t'i kthejë fondet e anëtarësimit dhe do t'i hapë vendit perspektivë. Këto janë qëndrime në prag të zgjedhjeve, që edhe pse janë elektorale, nuk i sjellin benefite VV-së dhe Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ai është shprehur se PDK-ja ka në plan të ftojë një seancë të Kuvendit për të diskutuar mundësinë e ndërhyrjes së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) në disa gazetarë.
...”Të mërkurën do të kemi një debat për migrimin masiv të qytetarëve. Atë e konfirmon edhe regjistrimi i popullsisë”, ka shtuar ai.
“Sa i përket vizitës së Von der Leyen ju e pat dallimin e madh në qëndrimet e saj në Republikën e Shqipërisë dhe të Kosovës. Përderisa atje e konfirmon agjendën evropiane dhe përfitimin e fondeve, në anën tjetër që kërkesa e kryeministrit ishte heqja e masave”, ka theksuar Tahiri.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit diskutuan që gjatë javës të mbahen dy seanca, por shtoi se “mbetet të shihet nëse VV-ja i ka votat e nevojshme për t’i kaluar vendimet që merren me shumicë të thjeshtë”.
“...Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, LDK-ja e konfirmon se do t’i përkrahë. Mbetet të shihet gjatë kësaj jave nëse nuk ka fuqi vendimmarrëse Kuvendi, përgjegjësia mbetet mbi kryeministrin”, ka shtuar ai.
“Patjetër që do të rrimë në seancë, patjetër qe do të debatojmë, patjetër që do të propozojmë...Në fund do të shohim se çfarë buxheti është...”, ka shtuar Gashi i pyetur për votimin e buxhetit.
