-
8 qershor 2024 23:04
-
Shpërndaje në:
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se deklarata e të ashtuquajturit “Kuvendi gjithëserb”, e vërteton mendësinë millosheviqiane.
“Kuvendi Gjithëserb” që u mblodh të shtunën në Serbi, miratoi një Deklaratë 49-pikëshe, siç u tha, për të drejtat kombëtare e politike të popullit serb, por katër prej tyre i dedikohen Kosovës. Deklarata kërkon zbatimin e plotë të Rezolutës 1244, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, insiston në referimin e Kosovës si “Kosova dhe Metohija” si dhe dënon, sipas tyre, kushtet e padurueshme për jetën e serbëve nga institucionet e përkohshme të qeverisjes në Prishtinë. Ndonëse, në këtë seancë të përbashkët të Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republika Sërpskës u thirrën se serbët janë të interesuar për paqe në rajon, deklarata e përfshinë Kosovën si pjesë e patjetërsueshme e Serbisë.
Tahiri ka thënë se deklarata të tilla bien ndesh edhe me thirrjet perëndimore për normalitet në Ballkanin Perëndimor.
“Deklarata e të ashtuquajturit ‘Kuvendi gjithëserb’ ku përmendet që Kosova ‘është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë’, vërtetojnë mendësinë millosheviqiane, e cila rezultoi me disa lufta në Ballkan, gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Deklarata të tilla bien ndesh edhe me thirrjet perëndimore për normalitet në Ballkanin Perëndimor dhe me Marrëveshjen e Dejtonit”, ka shkruar Tahiri në Facebook.