Arbëri

Tahiri: 30 maji është dita e fundit për shpërndarjen e Kuvendit

Abelard Tahiri

Foto: Alban Bujari

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka përsëritur kërkesën për shpërndarje të Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje. Ai ka thënë se 30 maji do të jetë dita e fundit për mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit.

Tahiri në konferencë për media pasi dështoi seanca për tre vjet qeverisje të kryeministrit Kurti ka thënë se komunikimi me partitë politikë është intensiv.

“Puna e Kuvendit ka degraduar deri në atë pikë saqë me zor mund ta mbajmë në jetë edhe një tetë muaj deri te zgjedhjet e rregullta. Mirë është të reflektojmë, t’i hapim rrugë zgjedhjeve të reja në qershor apo korrik. Tash dy javë jemi në komunikim më intensiv, dhe do vazhdojmë në vijim deri te momenti, siç e kemi thënë këtë të enjte do të jetë dita e fundit për shpërndarjen e Kuvendit, apo 30 maji. Nëse deri më 30 maj nuk arrijmë koordinim për shpërndarjen e Kuvendit e humbim mundësinë që qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit më 30 qershor apo 7 korrik. Është dita e fundit dhe nuk do t’i ndalim përpjekjet”, ka thënë ai.


Tahiri: Presim kapitullimin e Kurtit përmes dorëheqjes

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se debati për punën e Qeverisë do të ndodhë dhe se kryeministri Kurti do të ballafaqohet me opozitën për të gjitha fushat, në të cilat sipas tij ka dështuar. 

Ai ka thënë se presin kapitullimin e Kurtit përmes dorëheqjes. 
“Kryeministri Kurti, duke u dorëzuar ka krijuar një pozicion për të negociuar kushtet e dorëzimit me opozitën, mirëpo ne këto kushte nuk i pranojmë, ne do të presim herët a vonë kapitullimin e tij përmes dorëheqje”, ka deklaruar Tahiri. 

Ai ka thënë se kërkesën për debat për punën e Qeverisë e kanë adresuar para dy muajve por se sipas tij nuk pati deputetë për të diskutuar dhe për t’u ballafaquar me Qeverinë, të cilën ai e kritikoi për shumë fusha. 

“Qeveri e cila është kampione e dështimeve të vendit. Kjo Qeveri nuk ka pse t’u dalë përpara qytetarëve, nuk ka pse t’u dalë pensionistëve përpara, nuk ka pse të ju dalë 80 mijë shërbyesve civil përpara, nuk ka si t’i dalë para pagës minimale më e ulëta në Ballkan, nuk ka si t’u dalë përpara zyrtarëve publikë që iu rrezikohet siguria juridike dhe mbi të gjitha nuk ka si t’u dalë përpara vëllezërve dhe motrave nga diaspora që nga korriku nuk ka arritur që të bëjë një marrëveshje për votim në vende në ambasada”, ka theksuar Tahiri.


 Kusari-Lila: E paimagjinueshme të pritet shpërndarja e Kuvendit me aq pak deputetë në sallë

Kryetarja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e ka quajtur të paimagjinueshme shpërndarjen e Kuvendit derisa për debatin për qeverisjen e Kurtit kishte shumë pak deputetë të pranishëm. 

“Është paska e paimagjinueshme të pritet shpërndarja e Kuvendit, kur për debat për tri vjet të qeverisës ka aq pak deputetët në sallë, e lërë me të mendohet për një situatë e cila do të nënkuptonte përfundimin e punës së legjislaturës së tetë, përderisa nuk janë kryer të gjitha pikat, ka shumë pak pika të patrajtuara”, ka thënë ajo.