Arbëri

Tafallari: Është arritur kapaku i ndërtimeve të banesave kolektive në Prishtinë

Driton Tafallari ne 038

Njohësi i çështjeve urbanizmit Driton Tafallari ka vlerësuar se është arritur kapaku i ndërtimeve në Komunën e Prishtinës sa i përket ndërtesave kolektive. 

Ai ka thënë se Komuna e Prishtinës duhet ta përmirësojë draftin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) dhe ka shtuar se nuk bën që PZHK-ja të miratohet pa Hartën Zonale. 

“Unë mendoj se duhet të përmirësohet PZHK-ja para se të sillet në dëgjim publik. Pa diskutim se arsyeja kryesore mbetet azhurnimi i statistikave në planin e ri zhvillimor. Nuk ka asnjë logjikë të miratohet me nguti pa harta zonale”, ka thënë Tafallari në “038” të KTV-së. 

Ai ka thënë se drafti i Planit Zhvillimor Komunal që po pritet të sillet në Kuvend Komunal është i bërë me statistikat e regjistrimit të vitit 2011. 

“Në regjistrimin e vitit 2011, kemi pasur 60 mijë banesa e tash janë 88 mijë banesa. Po flasim rreth 30 për qind rritje. Në mënyrë substanciale ndryshon kur vjen te analiza e trendëve. Çështja e banesave të zbrazëta, kanë dal 33 për qind. Një në tri banesa në Prishtinë janë të zbrazëta. Në PZHK duhet të reflektohet kjo. Ajo që Komuna duhet të bëjë është të krijojë një mekanizëm të qëndrueshëm për mbledhje të informatave të përhershme. Të krijojë një lloj softueri e të mos presë regjistrimet e popullsisë. Sipas mendimit tim, në një mënyrë është arritur kapaku i ndërtimit sa i përket ndërtesave kolektive. Numri i banorëve nuk është rritur aq shumë. Numri i banorëve është rritur më pak se i banesave. Por, duhet pasur parasysh edhe që një numër i madh i familjeve po ndahen, çiftet e reja s’është si në të kaluarën që jetojnë me prindër. Me të drejtë dëshirojnë të jenë të pavarur në zhvillimin e jetës së tyre. Është analizë shtesë që duhet bërë për të parë se si duhet ndihmuar çiftet e reja me sigurimin e banimit”, tha Tafallari. 

Ai ka thënë se si në Komunën e Prishtinës edhe në komunat tjera qëndron çështja e njëjtë me PZHK. 

Ai ka thënë se Ligji për Planifikim Hapësinor e ka të caktuar “8 plus” te PZHK-ja dhe komunat ndër vite e kanë “shfrytëzuar plusin” për ta shtyrë miratimin e PZHK-së së re.