Arbëri

Syla: Një rrezik potencial nga Serbia ekziston, pavarësisht se jemi të mbrojtur nga NATO-ja

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka deklaruar se pavarësisht se Kosova është e mbrojtur nga misioni i NATO-s, KFOR, një rrezik potencial nga Serbia ekziston. 

Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, ai ka thënë se Serbia po mundohet ta luajë një lojë të dyfishtë me SHBA-në dhe Rusinë dhe deri tani po ja del mirë.

“Një rrezik potencial ekziston, pavarësisht se ne jemi të mbrojtur nga NATO, sepse e kemi KFOR-in. Po që Serbia në bashkëpunim me Rusinë dhe me krejt mekanizmin që e ka të një lufte hibride që po e bën këtej janë sinjale të qarta që është një rrezik potencial që nuk duhet nënçmuar, por duhet punuar në atë drejtim për ta analizuar mirë dhe për të qenë të gatshëm për ta përballur. Serbia po mundohet të luajë një lojë të dyfishtë dhe po ja del deri më tani, sido që të jetë ne rrezik potencial e kemi Serbinë dhe kjo është e qartë, ne jemi duke u përgatitur drejt kësaj që ta përballojmë këtë rrezik”, ka thënë Syla.

Ai ka shtuar se ka nevojë për investim më të madh në mbrojtje bazuar në atë se çfarë po ndodhë aktualisht në botë.  

“Është i nevojshëm investimi edhe më i madh. Krahasuar analizat me atë se sot çka po ndodh në botë dhe se shtetet e Perëndimit sa janë duke investuar, është shumë i vogël, por bazuar në fuqinë tonë dhe në vullnetin, është pozitive kjo çka kemi bërë deri më sot”, është shprehur ai. 


Syla: Me kalimin e kohës NATO-ja do ta kuptojë se FSK-ja do ta mbrojë të gjithë territorin 

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka thënë se NATO-ja do ta kuptojë se Forca e Sigurisë së Kosovës do ta mbrojë të gjithë territorin. 

Sipas tij, kjo do të ndodhë me kalimin e kohës dhe me të kuptuarit e procesit dhe të realitetit objektiv të krijuar. 

“Bazuar në atë që ne e kemi Kushtetutën përpara dhe vendimi që na obligon që të jemi të kujdesshëm, që të jemi në objektivin e parë që është mbrojtja e territorit dhe sovranitetit, e cila është obligim i çdo qytetari, sidomos i ne si Forcë e Sigurisë, atëherë është çështje e ndjeshme, por me kalimin e kohës dhe me të kuptuarit të procesit dhe të realitetit objektiv të krijuar, në Kosovë dhe në rajon, NATO-ja dhe krerët e NATO-s do ta analizojnë këtë më me vëmendje dhe do të jetë e kuptueshme që ne do të jemi pjesë e mbrojtjes së territorit kudo qoftë”, ka theksuar Syla.