Në gjashtëvjetorin e ndërrimit të mandatit në ushtri, FSK-ja ndodhet në fillimin e fazës së tretë dhe të fundit të tranzicionit në ushtri operacionale. E në këtë periudhë, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, thotë se FSK-ja është shndërruar në një forcë të gatshme për të mbrojtur sovranitetin territorial të Kosovës
Janë bërë gjashtë vjet prej se Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i është ndryshuar mandati në ushtri, pa iu ndërruar emri.
Që prej 14 dhjetorit të 2018-s, kur Parlamenti i miratoi tri ligje në këtë funksion, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, thotë se FSK-ja ndodhet në fazën e tretë dhe të fundit për tranzicion dhe është shndërruar në forcë operacionale të gatshme për mbrojtjen e territorit të Kosovës.
“Jemi në fillimet e fazës së tretë. Fazë e cila ngërthen edhe më shumë në misionin tonë drejt realizimit të kapaciteteve të plota në përfundim të saj kur i plotësojmë me ngritje të gjithanshme të doktrinave, pastaj të infrastrukturës, pastaj të pajisjeve të ngritjes së shkollimit, trajnimit dhe stërvitjes së ushtarëve si dhe të validimit të kapaciteteve të plota të regjimenteve tona për fuqi zjarri, krejt këto në një përfundim, i cili e ka përfundimin e saj me plotësimin e kapaciteteve të plota të një fuqie ushtarake që është e gatshme për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit tonë”, ka thënë Syla.
Ai ka theksuar se me trajnimet dhe përgatitjet e bëra brenda gjashtë vjetësh, FSK-ja ka shënuar të arritura që ia lehtësojnë kërkesën për t’u bërë pjesë e NATO-s.
“Ne gati veç kemi plotësuar kapacitetin e infrastrukturës, pastaj jemi duke plotësuar kapacitetin e personelit të numrit gjithsej që duhet t’i kenë 5 mijë aktivë dhe 3 mijë rezervë, njëkohësisht jemi duke plotësuar edhe kapacitetet e tjera të pajisjeve më moderne, të cilat janë bazamenti i asaj për çka trajnohen, ushtrohen dhe stërviten ushtarët tanë. Ne jemi zbatues të përpiktë të standardeve të NATO-s, gjithçka, me shkollim, me trajnim, me doktrina, më stërvitje, me armatim që blejnë pajisje të gjitha janë standarde të NATO-s, të cilat janë të arritura shumë të larta që na lehtësojnë edhe kërkesën tonë të vazhdueshme që të jemi pjesë e NATO-s”, ka thënë Syla.
Tentimet e para për krijimin e ushtrisë patën nisur qysh më 2014. Pas tri tentativave të dështuara, Kuvendi i Kosovës arriti që më 14 dhjetor të 2018-s t’i miratojë tri ligje, me të cilat u mundësua transformimi i FSK-së në ushtri.
Deputetët miratuan në lexim të dytë Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe Projektligjin për shërbim në FSK që e mundësuan transformimin e saj në ushtri.