Arbëri

Syla: Familja është faktor që ndikon te fenomeni i vrasjeve

Kosova është tronditur nga tri raste të vrasjeve në Komunën e Vushtrrisë brenda 24 orësh. Një burrë vrau veten e më pas edhe veten të hënën, e të dielën një 19-vjeçar u vra nga një moshatar i tij.

Psikologjia Atifete Syla ka thënë se dhuna dhe vrasje janë fenomene që arsye kryesore kanë familjen, e më pas janë faktorë të tjerë që ndikojnë.

“Një ndër arsyet pse ky fenomen (dhuna dhe vrasjet) është në rritje është familja, sidomos te të rinjtë, adoleshentët, fëmijët, baza është te familja... Ajo çka ka ndikuar shumë, rrjetet sociale. Ekspozimi i pamjeve të dhunës ose videolojërave. Tjetër është faktori ekonomik. Por baza është familja”, ka treguar ajo në “60 Minuta” në KTV.

Sipas Sylës, rastet që nuk janë të rralla të vrasjeve në Kosovë ndodhin edhe sepse një shumicë e shoqërisë vuan nga stresi post-traumatik i luftës ose fëmijët tani rriten brenda një familje që e vuan.

“Ne jemi shoqëri e dalë nga lufta, një shumicë vuajnë prej stresit pos-traumatik të luftës. Njëkohësisht të rinjtë edhe pse nuk e kanë përjetuar luftën, janë rritë në një familje që ka vuajtur nga stresi post-traumatik i luftës. Ajo që ka ndikuar tjetër është pandemia që ka zgjuar atë traumën që e kanë pasur. Tjetra është bombardimi me informacione për luftërat, sepse e ke një shoqëri që ka dalë nga lufta. Tjetra është tranzicioni, dallimi mes mentaliteteve, kultura, teknologjia ne na ka gjetur të papërgatitur. Këto kanë ndikuar të përkeqësimi në shëndetin mendor te shoqëria jonë”, është shprehur ajo.

Syla ka thënë se një nga çrregullimet më të zakonshme janë çrregullimet e ankthit te shoqëria jonë.

Ndërkohë, Këshilli i Sigurisë i Komunës së Vushtrrisë të martën ka mbajtur mbledhje dhe në të ka marrë disa masa. Albanez Tahiraj, drejtor i Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, ka thënë se hapat po ndërmerren që raste të tilla të mos ndodhin.

“Janë marrë masa të ndryshme, gjegjësisht rekomandime, që do të fillojnë nga nesër si shtimi i patrullave policore, takimet e rregullta me prindër, monitorimi i lokaleve afariste dhe atyre me videolojëra, do organizohen kampanja vetëdijësuese”, ka thënë ai.