Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka folur lidhur me njoftimin e Policisë së dyshohet që katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë qëndruar disa minuta te hyrja e objektit te pala serbe, në stacionin policor kufitar në Merdar.
Sveçla ka thënë se kjo është dëshmi që Serbia nuk po i respekton marrëveshjet e arritura.
“Bëjnë shkelje të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare. Nuk është hera e parë që ata bëjnë shkelje të kësaj marrëveshje, por shpresojmë të jetë e fundit. Ne patjetër që jemi të gatshëm për t’u ballafaquar me çdo shkelje të tyre dhe në të njëjtën kohë edhe t’i prezantojmë ato te partnerët tanë si dëshmi shtesë se si Serbia nuk është e gatshme për të bashkëpunuar pavarësisht marrëveshjeve të cilat ajo i ka nënshkruar”, ka deklaruar Sveçla, në një deklarim pas debatit me temën “Roli i Inteligjencës Artificiale (IA) në Luftën Kundër Terrorizmit dhe Sigurinë Kombëtare” të organizuar nga Qendra Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit (ACCET).
Sveçla ka thënë se institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë "që qëllimet hegjemoniste të Serbisë të zmbrapsen".
VIDEO:
“Është e qartë se Kosova është e kërcënuar nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë, gjithë aparati i tyre shtetëror punon për të përmbushur qëllimet e tyre të cilat jo vetëm që janë të papranueshme për ne, por edhe kriminale në realitetin tonë. Institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë që këto qëllime të Serbisë të zmbrapsen në çdo moment tash edhe në të ardhmen. Jam i bindur që këto provokime do të dështojnë, patjetër vështirësojnë jetën e qytetarëve tanë posaçërisht të komunitetit serb, por ne jemi të aftë që të ballafaqohemi me çfarëdo sfide nga brenda apo jashtë”, është shprehur Sveçla.
Policia e Kosovës të hënën ka njoftuar se dyshohet që katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë qëndruar disa minuta te hyrja e objektit te pala serbe, në stacionin policor kufitar në Merdar.
Sipas njoftimit, me një veturë të tipit “Land-Rover”, ata kanë shkelur vijën kufitare “që në fakt përbënë shkelje të marrëveshjes për IBM-në”.