Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kanë përmirësuar cilësinë e shërbimeve në administratën publike, derisa ka shtuar se reforma ende nuk ka përfunduar.
Në konferencën “KosovaPAR2024” e cila u hap të mërkurën, Sveçla ka thënë se Kosova ka bërë përparime në administratën publike. Ndihmë në këtë drejtim, sipas tij, kanë dhënë edhe partnerët ndërkombëtarë.
“Republika e Kosovës renditet e para në Ballkanin Perëndimor për përmirësimin e sundimit të ligjit nga Projekti Botëror i Drejtësisë; për përmirësimin e të drejtave politike dhe lirive civile nga Freedom House; për avancimin në luftën kundër korrupsionit nga Transparency International; dhe për lirinë e shtypit nga Reporterët pa Kufij e shumë procese të tjera. Pavarësisht sfidave edhe në fushën e administratës publike, kemi arritur një progres të rëndësishëm. Është shënuar përparim në implementimin e ligjit të pagave dhe të zyrtarëve publik, duke shtyrë përpara procesin e reformave të nevojshme në administratë, me synimin e modernizimit, profesionalizimit si dhe ofrimit të shërbimeve cilësore dhe të shpejta në administratën publike. Të gjitha këto në shërbim të përkushtimit tonë drejt integrimit në BE. Gjithashtu, është shënuar progres dhe në ristrukturimi i ministrive dhe agjencive e me theks të veçantë në fushën e digjitalizimit të procedurave administrative dhe shërbimeve publike”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo është arritur edhe falë ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë.
“Në krahasim me vitet e kaluara, sot reforma digjitale ka mbi 180 qasje në shërbime publike. 63 për qind e të rekrutuarve janë gra. Kosova ka bërë përparime në administratën publike, e gjithë kjo edhe falë mbështetjes së partnerëve tanë e miqve ndërkombëtarë, andaj duke qenë se reforma është element kyç për përmirësimin e qytetarëve tanë, angazhimi ynë do të jetë maksimal”, ka thënë Sveçla.