Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçle, ka reaguar pas mbylljes së tri pompave të derivateve në veri, duke i cilësuar ato si “damar” të Gazpromit rus e për të cilat ka thënë se nuk kanë vend në Republikën e Kosovës.
Të martën, Policia e Kosovës ka asistuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit për mbylljen e pompave të derivateve në veri. Njëra është mbyllur në Mitrovicë të Veriut, njëra në Zubin-Potok e tjetra në afërsi të Liqenit së Ujmanit.
Në një reagim në Facebook, Sveçla ka thënë se epoke e përfitimit në kurriz të shtetit po perëndon.
“Krimi në veri të vendit ka qenë i thellë, i organizuar dhe i papenguar sheshazi gjithë këto vite. Në kontrast me përvojën e hidhur për më shumë se dy dekada kemi dëshmuar se sundimi i rendit dhe ligjit është i mundshëm kudo nëpër Republikën tonë. Policia e Kosovës sot ka asistuar AKP-në në lirimin e hapësirave të saj në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, pas konfirmimit se ato po keqpërdoreshin nga pompat e derivateve të cilat i janë shmangur obligimeve ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. Epoka e përfitimeve dhe pasurimeve në kurriz të shtetit dhe qytetarëve po perëndon. Për shtetin dhe qytetarët pa dallim do të bëjmë gjithçka, për keqpërdoruesit ballafaqim me ligjin. Shkelësit e ligjeve dhe rregullave tona si ‘’Nis Petrol’’, damar i Gazpromit rus, nuk ka vend në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Sveçla.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se këto pompa të derivateve janë mbyllur përkohësisht pasi operonin pa leje të shitjes me pakicë për dizel dhe benzinë.
“Gjatë aksionit në veri janë mbyllur përkohësisht 3 pika shitëse të derivateve të naftës për të verifikuar dokumentacionin përkatës. Inspektorët e Tregut kanë zbuluar se këto pompa operonin pa leje të shitjes me pakicë për Dizel dhe Benzinë. Të gjitha subjektet që merren me veprimtari të produkteve të naftës ose karburanteve të ripërtërishme, duhet të pajisen me leje të vlefshme nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për të zhvilluar veprimtarinë e tyre brenda territorit të Republikës së Kosovës. Ndaj operatorëve ekonomik që ushtrojnë veprimtari tregtare në kundërshtim me ligjin, do të merren masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi. Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë inspektimet edhe ditëve në vijim dhe nëse konstatohen shkelje, do të ndërmerren masa për ndalim të ushtrimit të veprimtarisë si dhe masa të tjera ndëshkuese konform legjislacionit aktual”, ka shkruar ajo në Facebook.