Arbëri

Sveçla: Bashkëpunimi rajonal rezultoi me mbylljen e 35 rrugëve ilegale

Svecla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se duhet të forcohet  më tutje bashkëpunimi rajonal i shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetja nga shtetet e tjera partnere dhe strategjike.

Në Konferencën Ndërministrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor ai ka theksuar se temat që diskutohen aty janë të rëndësishme në arritjen e objektivave për përmirësimin e menaxhimit të integruar të kufirit, vlerësimit të kërcënimeve ndërkufitare dhe efektivitetit të arritur deri më tani në këto fusha si dhe nevojat e bashkëpunimit rajonal.

“Dëshiroj që ky takim sot të na shërbejë si platformë reflektimi dhe zotimi mes nesh për të mbrojtur vlerat demokratike dhe evropiane, për të ndërtuar veprime dhe mekanizma konkret në luftën kundër krimeve ndërkufitare dhe lëvizjeve migratore si dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë në përgjithësi me shtetet e rajonit dhe më gjerë”, ka thënë ai.

Sveçla ka potencuar se bashkëpunimi rajonal ka rezultuar me mbylljen e 35 rrugëve ilegale prej të cilave 27 njëanshëm me Serbinë, 6 në koordinim me Malin e Zi dhe 2 me Maqedoninë e Veriut.

Sot edhe formalisht u zgjerua bashkëpunimi mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, si dhe Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, përmes nënshkrimit të deklaratës për angazhime të përbashkëta në luftimin e krimit dhe migracionit të paligjshëm, ka njoftuar MPB-ja përmes një komunikate.