Arbëri

Suspendohet drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore

Ministria e Shëndetësisë e ka suspenduar përkohësisht drejtorin e Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, tha të enjten, se në vend të tij u emërua ushtrues detyre, Bujar Kaquri, derisa shtoi se synim i Qeverisë është standardizimi dhe funksionalizimi i sistemit informativ shëndetësor.

“Sot u mbajt mbledhja e Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Në këtë takim u vendos që të suspendohet drejtori i Fondit, Fatmir Plakiqi. Kjo do të trasojë veprimet tona tutje si Bord, shmangies së nepotizmit dhe konfliktit të interesit. Synimi i Qeverisë që unë përfaqësoj në këtë Bord, është sistemi i sigurimeve shëndetësore”, deklaroi Gexha-Bunjaku.

Zv.ministrja e Shëndetësisë shtoi se janë në dijeni për problemet në këtë Fond, duke shtuar se do të adresohen të gjitha.

Ushtruesi i zgjedhur i detyrës, Bujar Kaqurri, deklaroi se do të punojë për organizim të punëve brenda Fondit. Ai tha se i nevojitet kohë dhe “gjithçka që është ngritur si shqetësim do të adresohet në organet gjegjëse”.

KOHA përmes një serie të shkrimeve, të bazuara në dokumente zyrtare, ka raportuar së fundi për shumë keqpërdorime në këtë fond në lidhje me referimin e pacientëve për shërim jashtë vendit.