Pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi, që janë në paraburgim për nxitje të urrejtjes nga 24 nëntori, pritet të suspendohen nga ushtria, raportojnë mediat malaziase. Siç ka konfirmuar Gjykata e Apelit ata kanë parashtruar ankesë lidhur me masën e paraburgimit. E Prokuroria Themelore në Pejë i ka kërkuar Prokurorisë Speciale të merret me këtë rast.
Dy pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi të arrestuar së fundmi në Kosovë do të suspendohen dhe ndaj tyre do të fillojë procedura disiplinore për mos informimin e eprorëve se do të udhëtonin jashtë vendit, ka raportuar “Vijesti”.
Rajko Krivokapiq, 34 vjeç dhe Dragutin Llallatoviq, 24 vjeç, u arrestuan për shkak se targat e automjetit me të cilin kishin shkuar në Manastirin e Deçanit më 24 nëntor, mbanin mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
Ata janë në paraburgim pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se dy të dyshuarit kanë përdorur gjuhë të urrejtjes edhe ndaj zyrtarëve policorë gjatë intervistimit, andaj prokuroria kërkoi paraburgimin e tyre, gjë që edhe e miratoi Gjykata Themelore në Pejë.
Në këtë institucion kanë treguar se për rastin i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale që ta marrë, meqë përputhet me kompetencën e saj, për t’i trajtuar lëndët në kapitullin e veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
E Prokuroria Speciale e kontaktuar nga KOHA gjatë pasdites, nuk është përgjigjur nëse e ka trajtuar këtë kërkesë apo jo.
KOHA e ka konfirmuar me Gjykatën e Apelit se të mërkurën mbrojtësit e dy të dyshuarve kanë parashtruar ankesë ndaj masës së paraburgimit.
Demokracia e Re Serbe (NSD), Partia që e udhëheq kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka reaguar lidhur me arrestimin.
“Ky incident është vetëm një nga rastet e shumta të terrorit ndaj popullit serb në Kosovë, i cili tashmë është shtrirë edhe ndaj qytetarëve të Malit të Zi”, thuhet në reagim.
Edhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi ka reaguar lidhur me arrestimin dhe paraburgimin e dy shtetasve malazias dhe i ka kërkuar reagim institucioneve të Malit të Zi.
