Arbëri

Surroi: Procesi i dialogut ndodhet në “paqartësi konstruktive”

Është përmbyllur Konferenca e Sigurisë në Beograd, në disa panele të së cilës është trajtuar çështja e dialogut Kosovë–Serbi dhe implikimet në siguri që raportet mes këtyre dy shteteve kanë. Publicisti Veton Surroi ka thënë se procesi i dialogut ndodhet në “paqartësi konstruktive”, ndërkaq ish-zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, Thomas Countryman, ka theksuar se BE-ja dhe SHBA-ja s’mund t’u ndihmojnë shumë palëve

Njohës politikë nga Kosova dhe Serbia nuk kanë shprehur pritje nga procesi i dialogut mes dy shteteve, ndërsa ata ndërkombëtarë kanë thënë se palët nuk duhet pritur shumë nga Brukseli e Uashingtoni. 

Gjatë panelit në kuadër të Konferencës së Sigurisë që është mbajtur në Beograd, ata listuan një numër problemesh.

Publicisti Veton Surroi ka thënë se procesi i dialogut është në një paqartësi konstruktive dhe duhet parë se duhet ecur para nën vështirësitë e reja gjeopolitike. 

“Tani jemi me Marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit, diçka që u quajt fillimisht, plani franko-gjerman që iu dha palëve si një opsion merre ose leje. Kjo tash ka krijuar një jetë tredimensionale. Për Kosovën është dokument që është marrëveshje për njohje de facto, për Serbinë është një menu, nga e cila mund të marrësh se çka ka nevojë ose mendon që është legjitime të implementohet dhe për Bashkimin Evropian, që është një dokument i panënshkruar”, ka thënë Surroi. 

E Jeta Xharra, drejtoresha e Rrjetit Ballkanit të Gazetarisë Hulumtuese BIRN, u ndal te çështja e Marrëveshjes së Asociacionit, për të cilën tha se është refuzuar të zbatohet nga të gjitha qeveritë në Kosovë, shkaku i frikës së krijimit të një Republike të dytë Serbe. 

“Ka më shumë se 30 marrëveshje që janë arritur shumë më përpara se Marrëveshja për Asociacionin, që nuk janë zbatuar dhe shoqëria kosovare ka thënë se pse ne duhet që ta zbatojmë këtë marrëveshje e jo marrëveshjen për energjinë që është shumë larg më marrëveshje praktike që prek faturat tona. Marrëveshja për energjinë është arritur shumë më përpara se Asocacioni, është arritur më 2011”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, ish-kryenegociatori serb, Borko Stefanoviq, theksoi se pavarësisht kush është në pushtet, Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet.

“Përderisa Kosova, të paktën kështu deklarojnë, dhe Serbia duan të hyjnë në Bashkimin Evropian, nuk do të arrijnë kurrë atje, sepse ne tani kemi dy elita të korruptuara, kemi dy fytyra të zotërve grekë, Vuçiç dhe Kurti që puthen, ndihmojnë njëri-tjetrin dhe po luajnë së bashku me të gjitha operacionet speciale dhe gjithçka që u nevojitet vetëm për të qëndruar në pushtet”, ka thënë Stefanoviq.

E, për mungesë progresi në dialogun e Kosovës dhe Serbisë i ka bërë njësoj fajtore të dyja shtetet ish-zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman.

Countryman, që më 2011, kur ka nisur dialogu si zëvendësndihmëssekretar, ka pasur në përgjegjësi çështjen e Ballkanit, ka thënë të mërkurën se që të dyja shteteve u mungon vullneti për të ecur përpara.

“Besoj fuqishëm që Beogradi dhe Prishtina kanë marrë shprehi që të fajësojnë Brukselin dhe nganjëherë edhe Uashingtonin për paaftësinë për të ecur përpara. Këndvështrimi im është që ne kemi dy qeveri që janë më shumë të shqetësuara me mbajtjen e shumicës së tyre, sesa të bëjnë progres, qoftë në dialog ose drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Countryman, në Konferencën për Siguri që është mbajtur në Beograd.

Ai nuk beson se çështja mes Kosovës dhe Serbisë do të përmbyllet së shpejti.  

“Sigurisht që është koha të përmbyllet dialogu. Ajo kohë ishte 5 vjet më parë. Nuk shoh se do të përfundojë shpejt dhe mendoj që as Qeveria e Serbisë e as e Kosovës nuk duhet të shpresojnë në një zgjidhje të shpejtë në duart e administratës së re amerikane”, ka theksuar Countryman.

Ai ka thënë se në këtë drejtim, në punë atyre nuk u hyn as ndryshimi i administratës në SHBA e as udhëheqësit e rinj në bllokun evropian.

“Është bërë pak progres, por ka munguar vullneti i duhur nga të dyja palët në implementimin e marrëveshjeve të arritura. Nuk shoh që zgjedhjet në BE e ndryshojnë këtë. Është e nevojshme që BE-ja të bëhet më e unifikuar në këtë çështje dhe kjo përfshin atë që të marrë pozicion më përgjegjës për ato shtete anëtare të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo është e rëndësishme. Por nuk mendoj që zgjedhjet në BE ndryshojnë dinamikën brenda Kosovës dhe brenda Serbisë”, ka theksuar ai.

Countryman, që aktualisht është kryetar i Bordit të Shoqatës së Kontrollit të Armëve në SHBA, thekson se në rajon ekziston gjithmonë rreziku i dhunës, por  konsideron se kërcënimi i përdorimit të dhunës si mjet është i papranueshëm.

Countryman ishte pjesëmarrës në Konferencën për Siguri që është mbajtur në Beograd. Ai ishte në mesin e panelistëve në diskutimin në lidhje me ndikimin e zgjedhjeve në SHBA e në BE.

Konferenca ka nisur të hënën dhe është përmbyllur të mërkurën.