Publicisti Veton Surroi ka thënë se politika e jashtme e Kosovës është peng i vendimeve të gabuara në dialog me Serbinë.
I ftuar të martën në “Konfront” të KTV-së, Surroi ka deklaruar se pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë pro pavarësisë, Kosova ka vepruar në dëm të interesave të veta, duke e zbritur nivelin e kontekstit të bisedës nën vendimin e GJND-së.
“Politika e jashtme padrejtësisht ka qenë peng, jo vetëm e kësaj qeverie, por e të gjitha qeverive, e vendimeve të gabuara rreth dialogut. Në momentin kur Kosova ka pasur në vitin 2010 përgjigje nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Kosova ka vepruar krejtësisht në gabim dhe në dëm të interesave të veta, duke pranuar që të zbresë nivelin e kontekstit të bisedës përfundi vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë ai.
Ai ka konsideruar se gabimet e Kosovës kanë qenë strategjike, të cilat sot po tentohet të korrigjohen.
“Gabimet kanë qenë strategjike dhe këto gabime strategjike tashmë po na mbajnë për gati 15 vjet, pra politika jonë e jashtme, në përgjithësi politika e negociatave është në fakt korrigjim i gabimeve të së kaluarës në vend se të ishte avancim i kauzës së mëtejme”, ka theksuar Surroi.
Surroi: Të pavërteta dhe ofenduese argumentet e Edi Ramës për shtetin bektashi
Publicisti Veton Surroi ka thënë se argumentet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për t’i dhënë shtet sovran bektashinjve janë të pavërteta dhe ofenduese.
Surroi e ka marrë shembull deklaratën e Ramës i cili kishte thënë se “Shqipëria ia dha botës Nënë Terezën dhe tani do t’ia japë Vatikanin e myslimanëve”.
“Nëse filloni argumentin me të pavërtetën, atëherë aktin për të cilin mendoni e ndërtoni mbi të pavërtetën. Rama tha se ashtu si Shqipëria ia dha botës nobelisten Nënë Tereza, ashtu do t’ia japë edhe ‘Vatikanin e myslimanëve’. Dhe këto janë ofenduese sepse Shqipëria nuk ia ka dhënë botës Nënë Terezën, ajo rrjedh nga një familje kosovare dhe e ka dëgjuar thirrjen e Krishtit në Letnicë dhe më pas ka shkuar Irlandë e më pas në Calcutta të Indisë. Ajo njihet si Nëna Terezë e Calcuttas, në Indi. Është e padrejtë t’i themi se ia kemi dhënë botës këtë shenjtore. Veprimtaria e saj më e madhe ka qenë në Calcutta”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.
Sipas publicistit, krijimi i një shteti bektashi është kundër rendit kushtetues juridik të Shqipërisë nga njëra anë, “dhe kundër traditës shqiptare nga ana e tjetër dhe kundër interesave të bashkëjetesës së religjioneve”.
Surroi: Kufiri Kosovë - Serbi në çerekshekullin e ardhshëm mund të jetë kufi mes Perëndimit e Kinës
Publicisti Veton Surroi në emisionin “Konfront” të KTV-së ka thënë se derisa vija ndarëse mes Kosovës e Serbisë përgjatë çerekshekullit të fundit ka qenë vijë ndarëse mes Perëndimit e Rusisë, në çerekshekullin e ardhshëm mund të jetë vijë ndarëse mes Perëndimit e Kinës.
Ai ka thënë se është shqetësuese rritja e ndikimit të Kinës.
“Është problem i madh për ne...problemi më i madh është sepse vija ndarëse mes Kosovës dhe Serbisë që është vija ndarëse mes Perëndimit e Rusisë përgjatë gjithë këtij çerekshekulli, në çerekshekullin e ardhshëm mund të jetë vijë ndarëse mes Perëndimit dhe Kinës e Euroazisë. E atë në bazë të vlerave”, ka thënë Surroi. “Shoqëria jonë po ndërtohet në bazë të vlerës se demokracia, liritë njerëzore të përkthyera në liri ekonomike e rrisin vendin. Në momentin kur kemi liri politike, kemi mundësi të zhvillohemi dhe Kosova është zhvilluar në bazë të kësaj premise”.
Ai ka thënë se në Serbi e Kinë është “nxjerrë mundësia e ndërtimit edhe pa liri politike”. Ai ka thënë se është model që u pëlqen autokratëve.
“Kina e para e ka nxjerrë mundësinë e ndërtimit pa liri politike. Mund të kesh kapitalizëm, por jo edhe demokraci. Ky është model që u pëlqen autokratëve edhe në Evropë. Ishte shembull i paparë më herët, është shembull që pastaj i dha emër kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, që ka folur për demokracinë joliberale”, tha Surroi.
Surroi: Kosova ka dëshmuar shenja pjekurie si shtet, ka kaluar koha e marrjes së lejes
Publicisti Veton Surroi ka thënë se Kosova tashmë e ka dëshmuar se ka treguar shenja pjekure si shtet dhe nuk ka nevojë që të marrë leje nga ndërkombëtarët për veprime në veri.
Duke komentuar vendimet e Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti në veri, duke përfshirë targat, mbylljen e bankave e të tjera, Surroi ka thënë se periudha ku duhej kërkuar leje për këto veprime ka kaluar.
“Tashmë është mësuar opinioni ndërkombëtar (me vendimet e Qeverisë së Kosovës) dhe ky është hap pjekurie mes Kosovës dhe ndërkombëtarëve. Ka kaluar ajo periudhë e kohës ku duhej kërkuar leje. Natyra e rritjes së një shteti, e pjekurisë së tij, është koordinimi gjithsesi, posaçërisht koordinimi në sferë të sigurisë, të brishtë që është Ballkani Perëndimor. Është konsultimi pasi që të jetë pjekur vendimi. Konsultimi i cili thotë se do të bëjmë këto veprime sepse po duam t’i mbrojmë këto parime dhe nëse mendoni që keni diçka me na ndihmu, urdhëroni”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.
Surroi për shuarjen e strukturave ilegale: Kosova ka të drejtë t'i mbrojë parimet
Publicisti Veton Surroi, derisa ka folur për shuarjen e strukturave ilegale, ka thënë se Kosova ka të drejtë t’i mbrojë parimet.
Të martën në “Konfront” të KTV-së, Surroi ka thënë se parimi që nuk duhet të ketë struktura paralele, nuk është shpikur nga Kosova, por është që nga Rezoluta 1244 e OKB-së.
“Qëndrimi te parimet unë mendoj se është i mirë, sepse njeriu me aleatët duhet të jetë krejtësisht i sinqertë dhe i sinqertë në mbrojtjen e parimeve. Nëse ato parime duken të gabueshme, duhet hapur bisedë rreth parimeve, jo rreth a ka të drejtë Kosova apo jo t’i mbrojë parimet. Nëse themi se në Kosovë nuk duhet të ketë struktura paralele, ky është një parim që nuk është i shpikur nga Kosova, është që nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara, Kosova është trajtuar nga e drejta ndërkombëtare si një territor me një rregullim unik juridik. Pra, në një territor me një rregullim unik juridik dhe doganor nuk mund të ketë struktura të tjera”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se që në fillim të vitit ka pasur një tonalitet të ngritur nga diplomacia perëndimore lidhur me çështjen e pezullimit të përdorimit të dinarit në Kosovë në formë të parasë së gatshme.
“U fillua me një dramacitet ku thuhej se është një krizë humanitare, po rrezikohet jeta e njerëzve etj., doli të mos jetë e vërtetë dhe çështje inati apo intense për të dëmtuar interesat e popullatës së brishtë. U tregua se është një vendim që është pjesë e një jurisprudence ndërkombëtare, sepse është pjese e Konventës për luftimin e terrorizmit, e cila adreson çështjen e parasë së gatshme dhe transportin e saj përtej kufijve. Nuk ishte akt kryeneçësie nga Kosova, por zbatim i një çështje që pos materieve të tjera, adreson çështjen e sigurisë”, ka thënë tutje ai.
Surroi: Çështja e përfaqësimit në CEFTA si Kosovë, pritet të zgjidhet që nesër
Publicisti Veton Surroi ka thënë se të mërkurën pritet të zgjidhet çështja e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA. Ai e ka vlerësuar hap përpara për shtetin mospërfaqësimin nga UNMIK-u.
“Kosova deri tash ka qenë e përfaqësuar nga UNMIK-u formalisht sepse UNMIK-u ka qenë pala nënshkruese e aderimit në CEFTA dhe tash është e kuptueshme që duhet të jetë Kosova pala themeltare e Marrëveshjes së Tregut të Përbashkët Regjional... Kjo mund të zgjidhet që nesër në mbledhjen e CEFTA-s dhe po që se ndodh një gjë e tillë do të kemi një hap përpara. Këto hapa nuk do të mbërrijnë të krijojnë normalizim derisa të mos ketë normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, kemi të bëjmë me një hap drejt normalizimit”, ka theksuar Surroi në “Konfront” në KTV.
Synimi, siç ka thënë ai, është Procesi i Berlinit.
“Qëllimi më i madh është Procesi i Berlinit, sepse javën e ardhshme shënohet 10-vjetori i Procesit të Berlinit dhe ambicia e vjetër që të ketë një treg të përbashkët regjional është një hap në këtë drejtim. Kosova po kontribuon në atë drejtim”, është shprehur Surroi.