Arbëri

Surroi: Pas pavarësimit, Kosova e ka harruar shkollimin

Veton Surroi

Në një diskutim në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi dhe eksperti i telekomunikacionit Ismet Hamiti trajtuan sfidat e shtetndërtimit dhe rolit të intelektualëve në zhvillimin e Kosovës.

Hamiti theksoi se, dikur, intelektualët gëzonin një besim universalisht të pranuar, duke mundësuar që ata të merrnin pozita udhëheqëse dhe të ndikojnë në proceset e rëndësishme sociale dhe politike. Ai e krahasoi këtë me edukimin e viteve të paraluftës dhe mundësinë e kthimit të besimit tek intelektualët sot.

Nga ana e tij, Surroi theksoi se shtetndërtimi i Kosovës është ngushtë i lidhur me intelektualët dhe se ndërtimi i institucioneve të rëndësishme si Postë-Telekomi i Kosovës ka kërkuar një gjeneratë intelektualësh të edukuar, të cilët i dhanë një formë rezistencës paqësore gjatë viteve '90.

Ai solli shembullin e Gazmend Zajmit, një intelektual të njohur, dhe sfidat që një figurë e tillë mund të hasë në ditët e sotme, ku kontestimi i mendimeve intelektuale është bërë më i lehtë përmes rrjeteve sociale, por gjithashtu më i pasaktë dhe më i shpërndarë.

Surroi theksoi se, për fat të keq, pas pavarësimit, Kosova ka injoruar rëndësinë e edukatës dhe shkollimit, duke e vështirësuar kështu avancimin dhe zhvillimin e shtetit.

“Dhe Kosova, për fat të keq, është njëri prej vendeve, i cili ndonëse është ndërtuar si shtet në saje të shkollimit, në momentin e pavarësimit të vet e ka harruar shkollimin”, ka thënë Surroi.

Lexo përditësimet tjera
Pikë me Veton Surroin

PIKË me Veton Surroin: Mysafir Ismet Hamiti