Arbëri

Surroi: Lëvizja paqësore dhe ajo e armatosur nuk mund të shkëputen nga njëra-tjetra

Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi derisa ka folur për librin e tij të fundit “Viti i Qirinjve”, që do të promovohet në Panairin e Librit në Prishtinë, i botuar nga Botimet KOHA, ku rrëfen mbi përjetimet e shqiptarëve nga pushteti serb nën Jugosllavi, ka thënë se lëvizja paqësore dhe ajo e armatosur nuk mund të shkëputen nga njëra-tjetra.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Surroi ka thënë se historia shkruhet përditë, jo për ta trajtuar të kaluarën, por për të vendosur pozicione për të ardhmen. 

“Një historian jokritik që bën garë se kush ka dhënë kontribut më shumë, lëvizja paqësore apo lëvizja e armatosur dhe hyn në këso gare, nuk e bën këtë për ta shpjeguar të kaluarën as të lëvizjes paqësore e as të asaj të armatosur, por e bën për të krijuar favore politike për njërën apo për tjetrën. Besimi thelbësor është se gjërat nuk mund të shkëputen nga kontinuiteti i tyre. Lëvizja e armatosur ka rrjedhur për shkak të evoluimit, ose të dobësisë, ose suksesit, nuk ka mundur të ketë lëvizje të armatosur pa një lëvizje paqësore paraprake dhe anasjelltas, lëvizja paqësore do të konsumohej nëse s’do të ekzistonte një lëvizje e armatosur, nuk mund të shkëputen”, është shprehur ai. 


Surroi flet për librin e tij të ri “Viti i Qirinjve”

Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se me vdekjen e babait të tij në vitin 1988, përjetimi ishte “i një forme që në një mënyrë po ndahen rrugët për mundësinë e bashkëjetesës në një shtet të përbashkët”.

Ai ka deklaruar të enjten në emisionin “Konfront” të KTV-së, se në librin e tij të fundit “Viti i Qirinjve”, që do të promovohet në Panairin e Librit në Prishtinë, i botuar nga Botimet KOHA, rrëfen mbi përjetimet e shqiptarëve nga pushteti serb nën Jugosllavi.

“Çdo njeri e përjeton në mënyrën e vet, por për shumë njerëz të tjerë kanë qenë përjetime të tjera, por kolektivisht përputhet me kohën kur nis një lëvizje e madhe me minatorët e Trepçës. Fillon një lëvizje masovike për të mbrojtur autonominë e Kosovës, si shkalla e fundit e mundësisë për të jetuar në një shtet të përbashkët”, ka deklaruar Surroi.

Sipas tij, përgjigja e pushtetit serb atëbotë ishte dhuna ndaj gjithkujt, e posaçërisht ndaj shqiptarëve.

“Përgjigja e pushtetit ka qenë dhuna ndaj gjithkujt, e paralajmëruar edhe ndaj babait tim. Përjetimi i varrimit ka qenë një formë që në një mënyrë po na ndahen rrugët. Në një kohë, një elitë shqiptare u përpoq të ndërtonte një mundësi bashkëjetese. Në atë moment u prish edhe ajo mundësi e bashkëjetesës”, ka shtuar ai.