Është paralajmëruar dërgimi në Gjykatën Kushtetuese nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit vendimi i Supremes për lirimin e një zyrtari publik nga dënimi për veprën penale “Mosdeklarim i pasurisë”. Aktgjykimi i Supremes bazohet në nenin e ndryshuar të një ligji
Duke u bazuar në nenin e një ligji që ka 10 vjet që është shfuqizuar, Gjykata Supreme e ka liruar nga dënimi për mosdeklarim të pasurisë Ibrahim Rudhanin, ish-prodekan në Fakultetin e Mjekësisë.
Në vendimin e datës 4 prill të këtij viti, Supremja hodhi poshtë aktgjykimet dënuese të Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore në Prishtinë ndaj Rudhanit për mosdeklarim të saktë të pasurisë në vitet 2019 dhe 2020 sa ishte prodekan.
Supremja për këtë aktgjykim lirues është thirrur në nenin 17 të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë nga Zyrtarët Publikë, nen ky i shfuqizuar me plotësim-ndryshimin që i është bërë këtij ligji në vitin 2014. Bazuar në të, Supremja ka konsideruar se Rudhani nuk ka kryer vepër penale, por kundërvajtje.
“Sipas dispozitës së nenit 17 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publikë dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë ( që ishte në fuqi) shprehet: Kushdo që shkel detyrimet e përcaktuara me këtë ligj, që nuk janë vepra penale, zyrtari i lartë bën kundërvajtje dhe dënohet”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Në vendimin e Supremes thuhet po ashtu se mosdeklarimi i pasurisë apo deklarimi i rrejshëm i pasurisë përbën vepër penale vetëm kur kjo pasuri është përfituar në mënyrë të paligjshme, por jo edhe atëherë kur pasuria nuk deklarohet apo deklarohet gabimisht.
Ligji, në të cilin është thirrur Supremja, në nenin 17 parasheh dispozita ndëshkimore me gjobë dhe dënim për kundërvajtje.
Mirëpo në plotësim-ndryshimin e këtij ligji në vitin 2014, neni 17 ka ndryshuar krejtësisht.
Janë larguar paragrafët të cilët parashihnin që mosdeklarimi i pasurisë të konsiderohet kundërvajtje dhe janë zëvendësuar me të tjerë, përmes të cilëve obligohet Agjencia për Parandalimin e
Korrupsionit që të paraqesë kallëzim penal në prokurorinë kompetente ndaj zyrtarit të lartë publik, i cili shkel detyrimet e parapara me këtë ligj.
Zyrtarë të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit kanë paralajmëruar që këtë aktgjykim do ta kontestojnë në Gjykatën Kushtetuese.
“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, si institucion i pavarur, i cili ka mandat mbikëqyrjen e deklarimit të pasurive sipas ligjit, lidhur me vendimin e Gjykatës Supreme, është në proces të shqyrtimit dhe trajtimit, si dhe adresimit të kësaj çështjeje në institucionet kompetente të drejtësisë”, thuhet në përgjigjën e agjencisë për KOHËN.
Për këtë çështje pati folur edhe drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, në emisionin “60 minuta” në KTV.
Në muajin nëntor edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, u lirua nga aktakuza për mosdeklarim të pasurisë, nën arsyetimin se deklarimi i pasaktë i pasurisë së ligjshme paraqet kundërvajtje dhe jo vepër penale, ndonëse është e sanksionuar sipas Kodit Penal të Kosovës.
Gjykata Supreme nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me këtë vendim.
E avokati i Rudhanit, Remzush Latifi, ka thënë se nuk ka çka të komentojë lidhur me rastin.