Arbëri

Super biçikletat e shtrenjta të Prishtinës

I kushtuan hiç më pak se 500 mijë euro Komunës, e si projekt dështoi në Tiranë, mirëpo drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, po shprehet optimist që në Prishtinë do të funksionojnë.

Biçikletat eklektrike të mençura, që një u kushtoi mbi 2.744 euro, Musliu thotë që do të jenë të veçanta për shkak të sistemit solar që e kanë.

“Ne nuk kemi pasur mundësi që ta promovojmë biçikletën dhe për këtë arsye kjo nxitur edhe pak debat kjo gjë. Mirëpo ne po flasim për biçikleta inteligjente e cila është me panel solar dhe është anti-vandal, sepse ne kemi kërkuar cilësi dhe kualitet, duke e ditur që po vijnë për herë të parë në kryeqytet. Duhet pasur parasysh që në këtë çmim për copë që e kemi, përfshihet përveç biçikletës përfshihet edhe stenda e stacionit biçikletës, softueri dhe konsulenca që ka punuar në finalizimin e projektit dhe e cila do ta përcakton edhe çmimoren, po ashtu edhe trajnimi i stafit dhe me këtë çmim e kemi blerë edhe licencën me këto mjete ”.

Rruga B e kompleksi “Ramiz Sadiku” janë vetëm disa nga dhjetë stacionet ku priten të vendosen biçikletat që pritet të vijnë shpejt në kryeqytet.

“E mira është që përveç në stacion biçikleta do të mund të parkohet edhe jashtë stacionit dikur afër pikave që do t’i vendosim. Përveç kësaj pagesa do të mund të kryhet me debit kartelë por edhe me kredit kartelë përmes aplikacionit që do të duhet të shkarkohet në telefonin mobil. Ne kemi menduar që në 3 deri 6 muajt e parë të mos ketë farë pagesë për përdorim. Në momentin që do të fillojmë me çmimore, çmimi do të jetë simbolik”.

E mes qytetarëve ka mendime pozitive, por edhe kundërshtime rreth kësaj çështjeje.

“E para e punës kryeqyteti nuk ka nevojë që të blejë biçikleta fare, ato janë vetëm para të gjuajtura asgjë tjetër. Komuna e Prishtinës nuk është në rrugë për rregullimin e komunikacionit aq më pak me biçikleta, sepse duhet tjetër mënyrë të ndiqet që të bëhet komunikacion publik, me tren dhe tramvaj”, tha një prej tyre.

“Për t’u zhdukur komunikacioni në kryeqytet kjo është shumë e domosdoshme, pra blerja e biçikletave është një hap i qëlluar. Komuna ka menduar se do të funksionojnë dhe do ta shohim tash. Me siguri që po, do ta përdori kurdo që do të vijnë, sepse përveç tjerash e ruajnë ambientin”, tha një tjetër.

Biçikletat do të monitorohen nga ndërmarrja publike komunale “Trafiku Urban”, kurse do t’iu jepen qytetarëve për përdorim gjatë 24 orëve, të njëjtat do të jenë të pajisura me GPS.

100 copë biçikleta të mençura do të vijnë deri në pranverë në kryeqytet, kurse çmimorja për to nuk është përcaktuar ende, meqenëse mendohet që në gjashtë muajt e parë do të jenë falas për përdorim.