Kandidati i pavarur për kryetar të Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka reaguar pasi PZAP-ja mori vendim që kjo komunë të shkojë në rivotim.
Suma, të cilit iu pranua ankesa në PZAP se simpatizantët e PDK-së kanë bërë presion mbi qytetarët e Hanit të Elezit që të votojnë këtë subjekt politik, ka thënë se gjatë rivotimit shpreson të mos ketë presione mbi votuesit ashtu siç ndodhi më 17 tetor.
“Është vendim i popullatës se a fitojë apo jo tash në rivotim. Unë vetëm shpresoj që të mos ketë presione dhe ndikim te votuesit”, ka thënë Suma për KOHËN.
Suma tutje deklaroi se kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazhi, vizitoi të gjitha vendvotimet e Hanit të Elezit gjatë ditës së zgjedhjeve kinse në cilësinë e shefit të shtabit zgjedhor. Kryetari aktual i kësaj komune potencoi se një gjë e tillë nuk lejohet sipas ligjit.
“Ai vizitoi të gjitha vendvotimet kinse në cilësinë e shefit të shtabit zgjedhor. Sipas ligjit, nuk lejohet që një kandidat për kryetar apo për asamble të vizitojë vendvotimet e tjera, përveç aty ku duhet të votojë vetë”, shtoi tutje Suma.
KOHA provoi të kontaktojë edhe me kandidatin e PDK-së në këtë komunë, Mehmet Ballazhin, por i njëjti ishte i paqasshëm.
Në zgjedhjet 17 tetorit, Ballazhi i PDK-së doli fitues me 50.98 për qind të votave të përgjithshme, ndërsa Suma i dyti me 42.47 për qind të votave. Suma është në krye të Hanit të Elezit që nga viti 2007.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë thënë se duhet të priten të gjitha afatet ligjore për të organizuar zgjedhjet përsëri në këtë komunë. Deri nesër palët kanë kohë për t’u ankuar në Gjykatë Supreme, e cila për 72 orë duhet të kthejë përgjigjen definitive.