Arbëri

Suma beson që e humbi Hanin e Elezit pasi nuk dha premtime

Pas tri mandatesh radhazi, Rufki Suma më nuk do të jetë kryetar i Komunës së Hanit të Elezit. Ai ka pësuar disfatë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Fitues në këtë komunë sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me kandidatin Mehmet Ballazhi. Ky i fundit deri më tani ka 2.485 vota apo 50.98 për qind, derisa Suma renditet i dyti me 2.070 vota apo 42.47 për qind.

Mirëpo, Suma thotë se nuk e ka pritur që do të humbë, dhe se ende s’e ka analizuar këtë rezultat zgjedhor.

“Nuk e kam pritur që do të humbi por ende nuk kam bërë ndonjë analizë të zgjedhjeve. Mendoj se qytetarët janë mësuar të kenë premtime të ndryshme, ndërsa nga ana ime nuk kishte fare premtime”, ka thënë Suma për KOHËN.

Kryetari aktual i kësaj komune ka përmendur se me t’u publikuar rezultatet e para ia ka uruar fitoren kundërkandidatit të PDK-së Ballazhi, privatisht dhe përmes mediave. E për çka beson se do të mbahet mend si kryetar i Hanit të Elezit, Suma ka përmendur një varg të projektesh.

Në mesin e tyre janë heqja e emërimit Gjeneral Jankoviq, aplikimi i teknologjisë informative në mësimdhënie dhe mësimnxënie, pajisjen e shkollave me kabinete mësimore-organizimi të mësimit kabinetik, rregullim të infrastrukturës rrugore, ndriçim publik, ndërtim të shtëpisë së kulturës e projekte të tjera.

Rufki Suma, me profesion jurist, është në krye të komunës që nga viti 2009.