Arbëri

Sulmi në Ibër-Lepenc, Kurti: Duket se partnerët tanë ndërkombëtarë s’po duan ta fajësojnë Serbinë

Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistë për emisionin RTK PRIME, ka folur për qeverisjen e tij katërvjeçare. Për herë të parë Kurti foli për Gjykatën Speciale, duke dhënë edhe arsyet se pse nuk ka shkuar t`i vizitojë të akuzuarit në Hagë.

“Unë e kam menduar vizitën në Hagë edhe kam qenë i interesuar të shkoj, por faktori kryesor që më ka ndalur të shkoj është fakti që duhej plotësuar shumë dokumente, formularë, ku t’i nënshkruan në Gjykatën Speciale”, tha Kurti.

Kurse sa i takon sulmit në Varagë të Zubin Potokut, në kanalin Ibër-Lepenc, tha se po i duket se partnerët ndërkombëtarë s'po duan ta fajësojnë Serbinë.

“...Po të mos e kishim atë dron me të cilin i xhiruam Milan Radoçiqin e të tjerët, më 24 shtator, ndoshta edhe sot e kësaj dite do të thoshin se nuk e dimë se kush e ka bë sulmin në Banjskë, ndoshta se ka bërë Radoiçiqi. S’ka gjasa të mos ketë qenë Serbia prapa sulmit (në kanalin e Ibër-Lepencit). Nëse nuk është vetëm Serbia është edhe Rusia...Gjithçka tregon në atë drejtim, por më duket se partnerët ndërkombëtarë nuk duan ta fajësojnë Serbinë e ne për sherr s’na qëlloj një dron mbi kanalin e Ibër-Lepencit në atë moment”, tha Kurti. 

Ndërsa i pyetur për shumë rastet e hapura, si ai i ambalazhuesve të ujit, afera e vajit dhe grurit, rasti i ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, e raste të tjera Kurti, tha se Krasniqi i ka sjell KEK-ut 105 milionë euro fitim.

“Drejtori, kryeshefi Krasniqi i solli 105 milionë fitim KEK-ut për vitin 2022. Ky i ka çmendur kundërshtarët tanë, një pjesë e të cilëve janë në prokurori, dhe ky sulm është bërë ndaj suksesit të tij, jo për shkak të dështimit të tij”, tha ai.