Sudani ka vendosur ta njohë Pavarësinë e Kosovës, ka njoftuar të shtunën presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me ministrin e Jashtëm të këtij shteti, në margjina të Forumit Diplomatik të Antalias.
Ajo ka publikuar një video në rrjetin social X krah ministrit të Jashtëm sudanez, Ali Yousuf al-Sharif. Aty Osmani thotë se ka marrë njoftimin nga ministri Yousuf se presidenti i Sudanit ka vendosur ta njohë Kosovën dhe se të dyja shtetet do të lidhin marrëdhënie diplomatike.
“Ishte kënaqësi dhe nder ta takoj ministrin e Punëve të Jashtme të Sudanit. Në takimin tonë të parë, ai më ka njoftuar se presidenti i Sudanit e ka njohur Republikën e Kosovës dhe se do të vendosim marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve tona”, ka thënë Osmani. “Faleminderit në emër të popullit të Republikës së Kosovës. Ky është fillimi i një partneriteti të mrekullueshëm”.
Ndërkohë ministri i Jashtëm i Sudanit, Ali Youssef, ka thënë se mezi pret thellimin e raporteve ndërshtetërore. Ai edhe Osmani kanë falënderuar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për Forumin.
“Jam i nderuar dhe i privilegjuar që jam dërguar nga presidenti im këtë pasdite, dhe pas takimit me presidentin Recep Tayyip Erdogan, që ishte një ogur i mirë për këtë mbledhi që e kemi këtu në Turqi, dhe që vendosëm ta njohim vendin tuaj të bukur. Jam shumë i nderuar që në emër të popullit paqedashës të Sudanit, e njohim shtetin tuaj si një pjesëtar të komunitetit ndërkombëtar…. Dua që po ashtu t’i përcjellë urimet e përzemërta të presidentit tim dhe të kolegëve që tani janë këtu me mua, dhe dëshirojmë që ky të jetë fillimi i një bashkëpunimi që neve në Sudan na duhet shumë, pasi që ju, në fakt, jeni një vend i vogël porse jeni plot me përvojë dhe me njohuri. Dhe pasi që bisedova me ju tani duket se do të kemi marrëdhënie bilaterale shumë të forta. Vendi juaj gjithashtu ka pasur luftë dhe ne kemi probleme serioze e jemi vend paqedashës dhe do t’ju drejtohemi në të ardhmen, në të ardhmen shumë të afërt. Dhe natyrisht jemi të nderuar që t’ju kemi mysafir në Sudan dhe jam i sigurt se do të nisim të kemi vizita. E kemi ambasadorin tonë këtu. Pranoni urimet e mija dhe pranojeni përkushtimin tim shumë të çiltër për zhvillimin e marrëdhënieve të mira me vendin tuaj”, ka thënë ministri sudanez.
Sudani është shtet në Afrikë. Ai ka popullatë rreth 50 milionë banorë. Është shteti i tretë më i madh në këtë kontinent. Shteti i Sudanit tash e dy vjet është në luftë mes ushtrisë dhe forcave paraushtarake. Ky vend është në krizë – me uri ekstreme. Pothuajse gjysma e popullatës përballet me uri ekstreme. Prej nisjes së luftës, dy vjet më parë, kanë vdekur rreth 20 mijë persona.
Njohja nga Sudani vjen disa javë pas njohjes që u konfirmua nga Kenia. Tash Kosova njihet nga 119 shtete.
Sudan has recognised the Republic of Kosovo and our two countries have agreed to establish diplomatic relations.
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) April 12, 2025
Thank you from the people of the Republic of Kosovo.
This is the beginning of a great partnership!
Our joint statement: pic.twitter.com/3UUWQngth2
Të menjëhershme ishin reagimet në Kosovë. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se njohja është e mirëseardhur, teksa ka shtuar se për Kosovën, avancimi në njohjen e sovranitetit të saj është krucial.
“Në këtë rast, Presidenca ishte në krye të detyrës për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Ky hap duhet të vazhdojë me ritëm të shpejtë”, ka shkruar ai në rrjete sociale.
Ndërsa ish-presidenti Behgjet Pacolli që njoftoi për njohjen nga Kenia javë më parë, ka thënë se njohja nga Sudani është lajm fantastik.
“Ashtu siç e paralajmëruar, njohja nga Kenia si shteti ndër më të fuqishmit në kontinentin afrikan, nxit një valë njohjesh për vendin tonë”, ka shkruar ai në Facebook.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar njohjen e re një miqësi më shumë për Kosovën.
“Shtetit tonë iu shtua edhe një njohje e re e popullit tonë një miqësi më shumë. E mirëpresim njohjen nga shteti i Sudanit, e cila vjen disa javë pas asaj nga Kenia. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve tona shpresojmë të zgjerohet dhe fuqizohet më tej. Urime qytetarëve të Republikës sonë dhe faleminderit Presidentit të Sudanit për këtë vendim të rëndësishëm për marrëdhënien mes dy vendeve tona, si dhe Presidentes sonë për angazhimin e saj e miqve dhe partnerëve tanë për mbështetjen e vazhdueshme”, ka shkruar ai në Facebook.
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar njohjen dëshmi të “fuqishme e përkushtimit të vazhdueshëm të shteteve paqedashëse ndaj parimeve të lirisë, paqes dhe të drejtës së popullit të Kosovës për pavarësi”.
“Njohja nga Sudani përbën një moment të rëndësishëm për diplomacinë e Kosovës, duke dëshmuar besimin e ndërsjellë në parimet e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ky moment shënon gjithashtu një kapitull të ri që vjen si rezultat i përpjekjeve të pandalshme të miqve ndërkombëtarë të Kosovës. LDK riafirmon përkushtimin e saj për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, për thellimin e lidhjeve diplomatike dhe për avancimin e interesave strategjike të vendit tonë në arenën ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e LDK-së.