Arbëri

Subvencionimi për shtëpitë në veri u përcoll me mangësi

Dy thirrje publike të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për përfitim nga subvencioni për ndërtim të shtëpive në veri, me vlerë 3 milionë euro, janë përcjellë me mangësi. Bazuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023, si mangësi është identifikuar mungesa e kategorizimit të duhur të përfituesve, në atë që, sipas ZKA-së, e rrit rrezikun për favorizime

Ndërtimi i shtëpive në veri dhe më gjerë vitin e shkuar është përcjellë me mangësi, ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin për 2023 mbi Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Në raport theksohet se në dy thirrje publike për ndërtimin e shtëpive në veri, në vlerë 3 milionë euro, nuk është ofruar dëshmi e mjaftueshme për përzgjedhjen e përfituesve.

Sipas ZKA-së, nga 342 aplikuesit në të dyja thirrjet kanë përfituar 78.

“Komisioni për vlerësimin e aplikacioneve nuk kishte përgatitur një raport detaj për mënyrën e kategorizimit të përfituesve, të cilët ishin prioritizuar nga lista e plotë e përfituesve, por nuk kishte siguruar asnjë dëshmi për mënyrën e përzgjedhjes së 57 përkatësisht 21 përfituesve”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Në raport thuhet se janë rishikuar rastet e gjashtë aplikuesve, që ndonëse i kanë përmbushur kriteret për subvencionim, nuk kanë përfituar nga thirrja për ndërtimin e shtëpive.

ZKA-ja ka rekomanduar që për gjetjet e evidentuara ministri Elbert Krasniqi të ndërmarrë veprime.

“Mungesa e dokumentimit të duhur lidhur me procesin e vlerësimit të përfituesve nuk jep siguri lidhur me zbatimin e kritereve me prioritet në kushte të barabarta sipas thirrjes publike, si dhe rrit rrezikun e favorizimit të aplikuesve gjatë përzgjedhjes së përfituesve. Ministri duhet të sigurohet se nga zyrtarët përkatës po zbatohen kërkesat lidhur me vlerësimin dhe përzgjedhjen e përfituesve, duke u bazuar në kriteret e përcaktuara nga ministria”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së.

E ministri Krasniqi tha se mangësitë e identifikuara nga ZKA-ja janë adresuar në thirrjen e sivjetme për subvencionim, si dhe në përzgjedhjen e përfituesve.

“Komisioni, pas vlerësimit të aplikacioneve dhe përzgjedhjes së aplikantëve të cilët i përmbushin kriteret bazë të përcaktuara në thirrje, ka dalë në terren, duke identifikuar të gjithë përfituesit dhe bazuar në kriteret e vendosura që përcaktojnë se prioritet në kushte të barabarta kanë kategoritë si në vijim: 1 Përfituesit potencialë ose familjarë me nevoja të veçanta; Përfituesit potencialë me familjarë në gjendje të rëndë shëndetësore; Prindërit vetushqyes - ka nxjerrë listën përfundimtare të përfituesve me rekomandim për financim”, u shpreh ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Krasniqi e shprehu gatishmërinë edhe për angazhimin e përfaqësuesve nga organizata joqeveritare, me të cilat ministria ka bashkëpunim, si vëzhgues në procesin e përzgjedhjes, porse shtoi që forumi i organizatave nuk e ka caktuar një të tillë.