Gjatë pyetjeve parlamentare deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e ka pyetur ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, se sa është shuma e ndarë në vitet 2021-2023 për subvencionim të energjisë për KEK-un, KOST-in, për qytetarët, për ndërmarrjet e tjera energjetike jopublike, si KEDS-i e KESCO, dhe për bizneset private në mbështetje të sektorit të energjisë. Në përgjigjen e saj Rizvanolli është kthyer më prapa në kohë, duke shpalosur shifra që prej vitit 2015, ku, sipas saj, pavarësisht subvencioneve nga shteti, deri në vitin 2021 ndërmarrjet kanë raportuar miliona euro humbje. E për periudhën 2021-2023, ajo ka thënë se janë ndarë 49.7 milionë euro subvencione, mirëpo ndërmarrjet kanë gjeneruar 143.7 milionë euro fitim
Subvencionet në ndërmarrjet publike e jopublike të energjisë elektrike kanë përplasur deputetin e Lidhjes Demokratike (LDK), Avdullah Hoti, me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën e së enjtes në Kuvend.
Gjatë pyetjeve parlamentare deputeti Hoti ka pyetur se sa është shuma e ndarë në vitet 2021-2023 për subvencionim të energjisë për KEK-un, KOST-in, për qytetarët, për ndërmarrjet e tjera energjetike jopublike, si KEDS-i e KESCO, dhe për bizneset private në mbështetje të sektorit të energjisë.
“Duhet me ditë që gjatë mandatit të saj kjo ua ka dyfishuar qytetarëve energjinë elektrike e në të njëjtën kohë i ka shpenzuar qindra miliona euro prej buxhetit të shtetit për energjinë elektrike. Ajo që po më intereson mua është: sa mjete i ke paguar ti për energjinë elektrike nëpër rastet që i përmenda. Sa ia ke dhënë KEK-ut, sa ia ke dhënë KOST-it, sa iu ke dhënë qytetarëve, sa iu ke dhënë bizneseve, sa ua ke dhënë KESCO-s e KEDS-it?”, ka pyetur Hoti.
Në përgjigjen e saj ministrja Rizvanolli është kthyer më prapa në kohë, duke shpalosur shifra që prej vitit 2015, ku, sipas saj, pavarësisht subvencioneve nga shteti, deri në vitin 2021 ndërmarrjet kanë raportuar miliona euro humbje. E për periudhën 2021-2023, ajo ka thënë se janë ndarë 49.7 milionë euro subvencione, mirëpo ndërmarrjet kanë gjeneruar 143.7 milionë euro fitim.
“Gjatë viteve 2021-2023, KOST-i nuk është subvencionuar dhe këtu qëndron thelbi i këtij keqkuptimi dhe keqinterpretimi që jeni duke e bërë me ose pa qëllim. Nuk janë subvencione, megjithëse janë regjistruar në buxhet dhe në kontabilitet si subvencione për ndërmarrje, kanë qenë subvencione për qytetarët dhe për bizneset për t’u përballur me krizën e energjisë elektrike”, ka thënë Rizvanolli.
Në fillim të seancës së të enjtes, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (PDK), Abelard Tahiri, ka kërkuar që të diskutohet për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).
“Ashtu siç e keni parë, ashtu si jeni njoftuar para tri ditësh, Departamenti Amerikan i Shtetit e ka prezantuar një raport, i cili ka gjetje mjaft shqetësuese për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për institucionet e Republikës së saj. Pra, një përshkrim ku tashmë keni një korrupsion serioz në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku përfshihet edhe numri i ministrave të cilët janë të përfshirë në afera korruptuese. Pra tashmë, duke iu referuar atij raporti, nga 15 ministra, 5 prej tyre janë nën hetime dhe 2 zëvendësministra. Një e treta e kësaj qeverie është në hetime nga Prokuroria e Shtetit”, ka thënë ai, tek e ka prezantuar kërkesën për diskutim rreth çështjes.
Mirëpo kjo kërkesë është kundërshtuar nga deputetë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Kundër është shprehur shefja e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.
“Duke e ditur rëndësinë edhe peshën dhe jo vetëm në elementet të cilat i përmendi z.Tahiri, për arsye se e përmendi vetëm çështjen e Qeverisë, natyrisht nga pozicioni i opozitarit nuk mund ta bënte ndryshe. Doja t’ia vija në spikamë opinionit publik për ata që s’e kanë lexuar raportin, që raporti në fakt flet në detaje për lëshimet në sistemin e drejtësisë prej viteve të mëhershme 2018 e 2019 në raport me dhunën ndaj grave me një vrasje specifike dhe dështimin e Gjykatës Themelore në Gjilan në vitin 2019, për të mbrojtur një grua nga ish-bashkëshorti i saj, e cila tashmë rezulton e ndjerë për shkak se ai e vrau”, ka theksuar Kusari-Lila. “Gjithashtu përmend shkeljen e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat me numër të madh të kërcënimeve që bëhen nga kompanitë private për të mos u organizuar punëtorët në sindikata për t’u mbrojtur të drejtat e tyre. Përmend gjithashtu rastin edhe rastet e ish-ministrave në proces të gjykimit qofshin në procese të stërzgjatura me vite, që do të thotë edhe nënkupton qeveritë e kaluara”.
Por, kërkesën e kanë nga LDK-ja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Arben Gashi, shef i Grupit parlamentar të LDK-së, ka thënë se Kuvendi do të duhej të ishte vendi ku shqetësimet diskutohen dhe ballafaqohen qëndrimet, opinionet e propozimet dhe nxirren vendimet.
“Raporti thotë: Autoritetet kufizuan lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacione në mënyrë të drejtë, duke censuruar mediat, duke bllokuar faqet e internetit, duke kufizuar qasjen në informacion. Ndërhyrjet politike në drejtësi dhe në veprimtarinë e gjyqësorit kanë rritur frikën dhe ndikimin mbi gjykatësit dhe prokurorët. Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në procese gjyqësore dhe procese qeverisëse ka degraduar kualitetin qeverisës. Shkelja e të drejtave të njeriut dhe aksesi në institucionet e drejtësisë, ndërhyrjet politike dhe kufizimet e lirisë së shprehjes kanë shkaktuar shkelje të të drejtave të njeriut dhe kanë penguar aksesin e qytetarëve në drejtësi të pavarur dhe efikase”, ka theksuar Gashi.
E Besnik Tahiri, shef i Grupit parlamentar të AAK-së, ka vlerësuar se në historinë e qeverisjes Kosova asnjëherë nuk ka marrë një klasifikim kaq serioz në raportin e DASH-it.
“Për të kuptuar se sa keq është dhe sa e rëndësishme është që ky Parlament të diskutojë këtë raport, ju lutem hapeni vetëm faqen e parë. Në faqen e parë ky raport flet në radhë të parë për një korrupsion serioz në qeveri. As nuk thotë në qeverisje, as më gjerë, thotë korrupsion serioz në qeveri. Në faqe të parë thotë kështu: Qeveria e Kosovës ka probleme serioze me pavarësinë e institucioneve të drejtësisë”, ka theksuar ai.
Refuzimi i kërkesës për diskutimin e raportit ka nxitur deputetët e LDK-së që ta lirojnë sallën e këtë veprim më pas e kanë ndjekur edhe ata të PDK-së e AAK-së.
E para kësaj deputetët opozitarë nuk i kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtare.
Në diskutimin e mbajtur rreth marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për ndërtimin e tunelit Prizren-Tetovë, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka shprehur vërejtjen se projektligji është i përgatitur keq.
“Gjithçka është ‘me tahmin’, siç thotë populli. Pra, me vullnet të lirë të dy grupeve të punës, pra, gjithçka ky projekt kapital u lihet dy grupeve të punës. Për më keq, për zgjidhjen eventuale të kontesteve ndërshtetërore nuk definon qartë dhe nuk lë kompetencë ligjore fare. Pra, në asnjë nen të marrëveshjes nuk kemi nen që përcakton dhe qartëson juridikisht zgjidhjen e kontesteve eventuale ndërshtetërore gjatë fazës së hartimit, projektimit apo ndërtimit të këtij projekti”, ka thënë Shala.
Në vend të përgjigjes Shalës i ka reaguar deputeti i LVV-së, Haxhi Avdyli.
“U bëj apel Qeverisë, gjithë ministrave, kryeministrit që të lobojnë në Bashkimin Evropian për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian, ndërsa deputetin Ferat Shala e ftoj që të lobojë në partinë e tij që t’i heqë sanksionet që ia kanë vendosur Kosovës me mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Janë mbi 300 milionë euro që është duke i bllokuar Partia Demokratike e Kosovës, të cilat janë projekte që janë duke pritur, e njëra prej tyre është edhe rruga Prizren-Tetovë”, ka theksuar Avdyli.
Ndonëse që nga tetori i vitit të shkuar ministrat patën vendosur që të mos u përgjigjeshin pyetjeve të deputetëve opozitarë, si kundërpërgjigje ndaj refuzimit të tyre për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare, në seancën e së enjtes ndryshuan qëndrimin.
Gjatë seancës të së enjtes deputetët kanë parashtruar pyetje, por jo të gjitha kanë marrë përgjigje. Kuvendi ka emëruar gjithashtu edhe anëtarin e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Me 59 vota është zgjedhur anëtare Batisha Ibrahimi.