Arbëri

Studentët kundër që afganët të vendosen në konvikte

Ikja nga Kabuli

Ilustrim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar se janë rritur kapacitetet për sistemim e refugjatëve nga Afganistani. Ajo nuk ka treguar se në cilat lokacione do të akomodohen refugjatët, ndërkohë që mundësia e shndërrimit të Qendrës Studentore në vendqëndrim të tyre është kundërshtuar nga Parlamenti Studentor

Kosova po përgatitet për t’i pritur refugjatët e parë afganë. Institucionet vendore kanë thënë se tashmë i kanë gjetur edhe lokacionet ku do të qëndrojë grupi i parë i tyre. Presidentja Vjosa Osmani, në një intervistë për mediumin britanik “Skynews”, ka thënë se i kanë shtuar kapacitet për t’i akomoduar refugjatët.

“Jemi veçse gati t’i pranojmë refugjatët e parë. Çfarë po bëjmë tani është se po rrisim kapacitetet ashtu që të mund të pranojmë më shumë. Nuk mund ta përmend numrin final derisa të studiojmë kapacitetet dhe çdo lokacion në Kosovë që mund t’i marrë ata. Është çështje ditësh, por jemi gati ta pranojmë grupin e parë, kështu që do të varet nga ajo se si aranzhohet transporti i tyre nga SHBA-ja”, ka thënë presidentja Osmani.

Ajo nuk ka treguar për numrin e refugjatëve që pritet të arrijnë në Kosovë, por ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka kërkesa për status të qëndrimit.

“Diskutimet që kemi pasur me SHBA-në ishin të lidhura me njerëzit, punonjës që punonin me ushtrinë amerikane, të cilët veçse kishin shprehur interesimin të shkonin direkt në SHBA. Por, për shkak se aplikimet e tyre po marrin kohë, ne do t’i mirëpresim ata për sa kohë që ka nevojë në Kosovë. Nuk kemi marrë ndonjë kërkesë që njerëzit të vijnë këtu, por e kemi derën e hapur dhe nuk ka ndonjë shtet në botë që e kupton dhimbjen e refugjatëve më shumë sesa ne”, ka thënë Osmani.

Institucionet nuk kanë dhënë detaje rreth sistemimit të tyre. Por, pas raportimeve në media se Qendra e Studentëve do të shndërrohet në vendqëndrim të refugjatëve, ka reaguar Parlamenti Studentor, që e ka kundërshtuar një gjë të tillë.

“Parlamenti Studentor kundërshton kategorikisht vendosjen e refugjatëve në konviktet e studentëve, ka vende të mjaftueshme ku ata mund të vendosen dhe të krijohen kampe. Ne i bëjmë thirrje MASHTI-t që të anulojë këtë iniciativë, përndryshe do të ketë reagime legjitime studentore, për t’i mbrojtur studentët”, thuhet në reagimin e Parlamentit Studentor.