Pesë organizata janë në garë për votat e studentëve. Por në prag të zgjedhjeve, shumë studentë kanë hedhur kritika ndaj punës dhe qëllimit të tyre. Në Universitetin e Prishtinës, zgjedhjet studentore mbahen çdo dy vjet. Këto zgjedhje determinojnë përfshirjen e studentëve në këshilla të fakulteteve dhe në Senat
Unioni i Studentëve Pro Evropian (USPE), Lëvizja Studentore për Barazi -Studim, Kritikë, Veprim (SKV), Iniciativa Studentore Progresi i Universitetit të Prishtinës (ISP), Reforma në Proces (RENP) dhe koalicioni Unioni Demokratik Studentor & Opinioni i Pavarur Studentor, janë organizatat për të cilat, të mërkurën, studentët do të mund votojnë përmes platformës elektronike (SEMS)
Por këto organizata studentore nga vetë studentët janë kualifikuar si lëvizje që mbrojnë interesat e partive politike.
Studenti në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, Ilir Kiçmari, ka thënë se përfaqësimi interesave të studentëve në nivelin menaxhues është i mangët.
“Studentët e Universitetit të Prishtinës janë të ndarë edhe në kauza kur ata do të duhej të ishin të bashkuar, janë të ndarë në organizata studentore, të cilat përfaqësojnë kryesisht interesat e partive politike dhe si rrjedhojë përfaqësimi studentor është i mangët”, ka thënë Kiçmari.
Ai ka shtuar se nuk pret ndryshime.
“Unë nuk pres ndonjë rezultat nga këto zgjedhje sikurse nuk ka pasur asnjë rezultate në zgjedhjet paraprake, pres vetëm kalkulime të partive politike në shpinë të studentëve”, ka thënë ai.
Planprogramet e disa prej organizatave studentore fokusohen në përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare për shkëmbim të studentëve e fushatë për luftimin e plagjiaturës.
E çështja e ngacmimeve seksuale në planprogramet që disa nga organizatat i kanë publikuar në faqet zyrtare, përmendet vetëm në prej tyre.
Sipas studentit në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Gramoz Shala, plan-programet e organizatave studentore nuk ofrojnë zgjidhje për problemet në UP.
“Edhe brenda UP-së i marrin copy-paste problemet ose dëgjojnë diçka nga jashtë i vendosin aty dhe nuk vijnë me zgjidhje kreative, i përsërisin si ngacmimi seksual, vendosjen e literaturës e gjëra të tjera, të cilat përsëriten vite e vite, dhe asnjëherë nuk zgjidhen pa marr parasysh kush i fiton zgjedhjet”, ka thënë Shala.
Edhe sipas studentit në FSHMN, organizatat studentore koordinohen me stafin akademik për përpilimin e plan-programeve dhe jo me studentët.
“Organizatat studentore merren me integritet akademik kur iu konvenon atyre me të cilët koordinohen ata që kryesisht janë profesorë në departamente në fakultete ku ata i përfaqësojnë, kështu që kyy kontribut në këtë kauzë është i mangët dhe i dobët dhe nuk i kontribuon atmosferës në Universitetin e Prishtinës”, ka thënë ai.
Në Universitetin e Prishtinës, zgjedhjet studentore mbahen çdo dy vjet. Këto zgjedhje determinojnë përfshirjen e studentëve në këshilla të fakulteteve dhe në Senat.