Studentët në Universitetin e Prishtinës kanë bojkotuar të enjten ligjëratat duke i kërkuar Rektoratit që të shqyrtojë kërkesën për t’i shtuar dy afate për mbajtjen e provimeve. Sipas Parlamentit Studentor, nevoja e afateve shtesë vjen për shkak të papërgjegjësisë së profesorëve në procesin e vlerësimit
Kërkesa e përvitshme për mbajtjen e afateve të provimeve në muajt nëntor dhe prill boshatisi të enjten sallat e ligjëratave në Universitetin e Prishtinës.
Parlamenti Studentor bëri thirrje për bojkot të procesit mësimor për të shprehur pakënaqësitë për mosshqyrtim nga Senati të kërkesës për shtimin e dy afateve për mbajtjen e provimeve.
Kryetarja e studentëve, Blerta Zeqiri, ka thënë se afatet shtesë të provimeve janë të nevojshme meqë, siç u shpreh ajo, profesorët nuk i respektojnë detyrat dhe përgjegjësitë që u delegohen me Statutin e UP-së për vlerësim formativ gjatë vitit akademik.
“Ka probleme të shumta, të cilat sjellin deri te kërkesa dhe nevoja për këto afate. Ka profesorë në fakultete të ndryshme, të cilët ende nuk i kanë vendosur notat e afatit të shtatorit, ka profesorë në fakultete që nuk e bëjnë vlerësimin e vazhdueshëm, ku studentët duhet në fund të hyjnë në të gjitha provimet dhe nuk kanë asnjë notë përgjatë semestrit... ne besojmë plotësisht nëse shtatë pika do të respektohen, studentët nuk kanë për të kërkuar asnjëherë afate shtesë”, ka thënë Zeqiri.
E dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi, ka dhënë një propozim për të evituar bojkotin e studentëve, teksa ka konfirmuar bojkotin nga studentët.
“Ne si Fakultet i Edukimit mendojmë dhe kemi dhënë qëndrimet tona edhe më herët që do të duhet të vijmë në pikën që studentët nuk duhet të ketë nevojë që të mos i ndjekin provimet me numër të shumtë, do të duhej të vijmë në një fazë ku vlerësimi do të bëhet në faza të vazhdueshme ku nevoja për provime dhe afate shtesë nuk do të ekzistojë dhe shpresojmë shumë që kjo pjesë e diskutimit do të trajtohet edhe në këtë pikë ku pikë së pari do të ishte në interes të studentëve”, ka thënë ai.
Javën e kaluar, Senati formoi komision të përkohshëm për të vlerësuar kërkesën për shtim të afatit në nëntor. Në vendimin për formimin e komisionit nuk u përmend afati i prillit.
Në një përgjigje për studentët, menaxhmenti i UP-së mohoi të jetë kërkuar nga senatorët studentë edhe afati i prillit. Për këtë çështje, menaxhmenti dhe Parlamenti Studentor do të mbajnë një takim të premten.
Sipas Statutit të UP-së, viti akademik përfshin tri afate të rregullta: atë të janarit, të qershorit dhe të shtatorit.
Viteve të kaluara ka pasur afate shtesë të nëntorit e prillit.