Arbëri

Studentët banues në konvikte, të rrezikuar nga qentë endacakë

Studentët banues në Qendrën e Studentëve në Prishtinë thonë se janë të shqetësuar e kanë frikë nga prania e madhe e qenve endacakë brenda hapësirave të qendrës. Në një grup joformal të studentëve në Viber, së fundmi është raportuar edhe për sulm të qenve ndaj njërës nga studentet banuese. E në Komunën e Prishtinës thonë se numri i qenve endacakë është duke u zvogëluar

Prania e madhe e qenve endacakë është bërë shqetësuese për studentët banues brenda oborrit të konvikteve në Prishtinë. 

Për këtë para disa ditësh në një grup joformal të studentëve në Viber, njëra nga studentet banuese, raportoi se është sulmuar nga qentë brenda hapësirave të konvikteve.

Sipas studentes, gjendja e saj shëndetësore është e mirë dhe se nuk ka pasur nevojë të pranojë tretmane në institucione shëndetësore.

Një gjë e tillë shqetësuese po shihet edhe nga studentë të tjerë.

“Unë banoj këtu thuajse që gjysmë viti, jam në vitin e parë dhe për aq sa më ka rastisur të shoh gjatë tërë kohës ka qenë. Edhe ka qenë një rast i fundit kur e kanë sulmuar një vajzë në mbrëmje, e unë për vete ka pasur shumë raste që kur e kam parë një qen e kam kthyer rrugën, sepse kam pasur frikë se po më sulmojnë”, ka thënë Ornela Demaj, studente.

E një studente, ka thënë se e tmerron vetëm prania e qenve në qendër.

“Jam që dy vjet këtu. Ndihemi të pasigurt prej pranisë së qenve dhe prania e tyre është e mjaftueshme”, ka thënë ajo.

Florend Ramusa, përfaqësues i Parlamentit Studentor, është shprehur se qentë endacakë po e rrezikojnë jetën e studentëve.

“Me të vërtetë është shumë shqetësuese. Kemi pranuar edhe më herët raste të frikës së sulmimit të qenve ndaj studentëve. Fatkeqësisht ka ndodhur ky rast dhe ne shpresojmë që të mos ndodhë përsëri”, ka thënë Ramusa.

E përmes një reagimi, përfaqësuese të kësaj qendre thanë se e kanë adresuar këtë problem në Komunën e Prishtinës.

“Problemi me qentë endacakë është bërë shqetësues dhe shumë i rrezikshëm për studentët banues në konvikte, punëtorët dhe qytetarë kalimtarë të rastit të cilët shfrytëzojnë për lëvizje hapësirat e Qendrës së Studentëve. Qendra e Studentëve përmes postës elektronike zyrtare u është drejtuar zyrtarëve të Komunës së Prishtinës për zgjidhjen e këtij problemi, por deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Sulmet nga qentë endacakë për studentët, çdo ditë e më shumë po kthehen në çështje serioze dhe shqetësuese”, thuhet në reagimin e qendrës.

Sulme të qytetarëve nga qentë endacakë janë raportuar edhe në pjesë të tjera të Prishtinës. 
Për këtë çështje sipas drejtorit të Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, nga shtatori i 2024-s janë larguar mbi 700 qen endacakë.

“Vazhdojmë të marrim ankesa të përditshme nga qytetarët për qentë në lagje dhe zona të tjera. Për këtë arsye, kemi krijuar një Komision dhe kemi emëruar një zyrtar përgjegjës shtesë. Ky zyrtar, pas pranimit të ankesave, inspekton vendin e ngjarjes dhe vlerëson nivelin e agresivitetit të qenve. Në rast se qentë paraqesin një rrezik të shtuar për qytetarët, ndërhyjmë menjëherë në ato lagje”, ka thënë Brestovci.

Sipas Departamentit të Mjekësisë Familjare, gjatë vitit 2024 ndihmë mjekësore nga sulme të qenve kanë pranuar 439 qytetarë. 

E në Klinikën Emergjente të QKUK-së, vitin e kaluar janë 132 raste të pranuara si pasojë e sulmeve nga qentë endacakë.