Arbëri

Stubllasit e marrin shtruar karantinën

Foto: Reuters

Don Jeton Thaqi ka darkuar me M. Gj., të infektuarin e parë me koronavirus në Kosovë, në natën e 8 marsit në Stubëll. Famullitari i fshatit ishte ftuar nga kunata e Don Lush Gjergjit, vikar i përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës, për bekimin e përvitshëm të shtëpisë. M. Gj. ishte kthyer në vendlindje tri ditë më parë nga Bergamo e Italisë.

“Darka e gabuar”

“Darka ka qenë në familjen e don Lushit. Ishte bekimi i asaj familjeje, i vëllait tjetër të don Lushit, vëllai që nuk është gjallë, vëllai tjetër (M.,v.j.) është gjallë”, ka treguar kleriku Thaqi gjatë një bisede telefonike. “Ajo, kunata e don Lushit ka dashtë me beku shtëpinë. E ka thirrë famullitarin, e ka thirrë edhe don Lushin, priftin e shpisë, edhe e kemi beku shpinë, dhe e kemi hangër një darkë, edhe aty ka ardhur i infektuari, 77-vjeçari. Ka qenë edhe djali i tij. Kemi qenë katër-pesë veta në darkë”.

Don Jetoni deri tani nuk ka vërejtur simptoma.

Djali i M. dhe anëtarët e tjerë të familjes kanë dalë pozitivë në testet e koronavirusit. Vetë Don Lush Gjergji ka konfirmuar një ditë më parë se është testuar dhe se rezultatet kanë treguar se nuk është infektuar nga vëllai.

Në Stubëll, policia ka ndaluar hyrje-daljet pas vendimit qeveritar për futjen e Komunës së Vitisë në karantinë. Stublla njihet si një prej vendbanimeve më të përkushtuar ndaj fesë katolike. Don Jeton Thaqi thotë se ishte munduar të ruante njëfarë distance nga M. në tavolinë, duke pasur parasysh lajmet që po vinin përditë nga Italia, vatra më e nxehtë e pandemisë së shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kosova tashmë ka regjistruar pesëmbëdhjetë raste - shumica prej tyre të ardhur nga Italia dhe familjarë të infektuar prej tyre.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot falas në Kohën Ditore. Klikoni këtu për t'u regjistruar.)