Arbëri

Stefanoviq: Radoiçiqi duhej të ishte në burg

Trembëdhjetë vjet pasi e drejtoi delegacionin e Serbisë në dialogun me Kosovën, ish-kryenegociatori Borko Stefanoviq akuzon presidentin e shtetit të tij, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mungesë vullneti në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Vullnet në Serbi, ai thotë se nuk ka as për arrestimin e përgjegjësit kryesor për sulmin e Banjkës, Millan Radoiçiq, të cilin e quajti njeri të afërt me presidentin e Serbisë

Kryeministri Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk kanë vullnet për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse, ka vlerësuar ish-kryenegociatori i Serbisë në dialog, Borko Stefanoviq, i cili drejton një parti opozitare.

Rreth 13 vjet pasi e ushtroi detyrën e shefit të delegacionit serb në fillim të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Stefanoviqi thotë se për ecjen përpara në këtë proces, si Kosova ashtu edhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e dakorduara. 

“Mendoj që Vuçiqi duhet të zbatojë atë që ka pranuar dhe z. Kurti duhet të zbatojë atë që ka pranuar. Është kaq e thjeshtë. Nuk e di se përse ata janë duke e luajtur këtë lojë. Në fakt, e di. E di, sepse z. Kurti ka zgjedhje kështu që duhet të jetë popullor dhe z. Vuçiqi dëshiron të qëndrojë në pushtet me çdo kusht”, ka thënë ai.

Ani se kundërshtar politik i Vuçiqit, Stefanoviq ndan qëndrim të njëjtë me presidentin e Serbisë për sa i përket kërkesës për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe kundërshtimin për njohjen e shtetësisë së Kosovës.

Vitin e shkuar, Kosova e Serbia u dakorduan në Bruksel për Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve. 

Kryeministri Kurti konsideron se tetë nga 11 nene të saj janë shkelur nga pala serbe. Në mesin e shkeljeve e përmend atë të integritetit territorial, me rastin e sulmit në Banjskë, kur grupi paramilitar serb, në krye me Milan Radojçiqin, e vrau rreshterin policor, Afrim Bunjaku, në tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës.

Ish-kryenegociatori Stefanoviq thotë se përgjegjësit për sulmin do të duhej të burgoseshin që moti, por shton se Radoiçiqi ka afërsi personale me Vuçiqin.

“Ata janë shumë të afërt personalisht, janë shumë të afërt politikisht, shumë të afërt financiarisht. Për mua është e mistershme se si bëhet që ky njeri është ende i lirë. Është shumë e mistershme dhe nuk mendoj që është mirë e nuk mendoj që është e pranueshme”, ka thënë ai.

Stefanoviq aktualisht është nënkryetar i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë, si dhe deputet në Kuvendin e Serbisë.