“Shpresojmë se zotëri Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë t'i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, ka theksuar Stano, tek ka shtuar se ftesa e emisarit Lajçak është dërguar si rrjedhojë e takimeve që përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka mbajtur ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe gjatë të cilave është diskutuar për vendimin e Bankës Qendrore (BQK) për përcaktimin e euros si valutë e vetme për pagesa në Kosovë
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar të enjten se Kosovës dhe Serbisë u janë dërguar letra me atë të të cilave janë ftuar në Bruksel që në kuadër të dialogut të diskutojnë mbi zgjidhjen për t’i tejkaluar “problemet e shkaktuara nga vendimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Kosovës”.
Takimi është thirrur që të mbahet më 27 shkurt. Por Stano ka thënë se letra e emisarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, nuk përcakton se kush duhet të marrë pjesë në takim, ngase kjo çështje “u është lënë palëve për të vendosur”.
Me këtë, Stano u është përgjigjur kritikave të cilat zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka drejtuar të mërkurën ndaj Lajçakut, duke e akuzuar atë se po i shkel parimet që vetë i ka caktuar dhe sipas së cilave asnjë temë në dialog nuk mund të vendoset në agjendë pa pajtimin paraprak të dy palëve.
“Shpresojmë se zotëri Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t'i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, ka theksuar Stano.
Ai ka thënë se ftesa e Lajçakut është dërguar si rrjedhojë e takimeve që Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka mbajtur ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe gjatë të cilave është diskutuar për vendimin e Bankës Qendrore (BQK) për përcaktimin e euros si valutë e vetme për pagesa në Kosovë.
“Përfaqësuesi i lartë Borrell pati takime me presidentin Vuçiq dhe me kryeministrin Kurti në Munih javën e shkuar, ku u diskutua kjo çështje. Si vazhdimësi e këtyre takimeve, i dërguari i posaçëm Lajçak i ftoi të dy palët që të vijnë në Bruksel më 27 shkurt. Zakonisht ne nuk i komentojmë korrespondencat me partnerët tanë, por ftesa nga i dërguari i posaçëm Lajçak nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë, sepse kjo u ishte lënë palëve të vendosin”, ka thënë Stano.
Bislimi ka thënë të mërkurën se e ka refuzuar një ftesë të tillë nga Brukseli për të diskutuar lidhur me çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë, teksa ka vlerësuar se “dinari nuk është pjesë e dialogut”.
Rregullorja e re e BQK-së, e cila e parasheh euron si valutën e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme, ka hyrë në fuqi më 1 shkurt. Stano të enjten ka përsëritur qëndrimin se vendimi i BQK-së do të ketë “ndikim serioz” për popullatën serbe në Kosovë dhe komunitetet e tjera, posaçërisht ata që marrin asistencë financiare nga Serbia.
“BE-ja dhe vendet anëtare ishin shumë të qarta në reagimet e tyre ndaj këtij vendimi kundërproduktiv dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet brenda kornizës së dialogut. Sjellja jokonstruktive nga ana e autoriteteve të Kosovës, dështimi dhe mungesa e angazhimit vetëm e distancojnë Kosovën nga perspektiva e saj evropiane”, ka paralajmëruar ai.
Edhe më parë, në BE kanë kërkuar që çështja e Rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Po ashtu, edhe autoritetet bankare në Serbi kanë kërkuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun në Bruksel, duke mos e pranuar kërkesën e Kosovës që ato të bisedojnë drejtpërdrejt me BQK-në për këtë.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë, pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel - rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë. Në vende të caktuara në Graçanicë, qytetarët serbë më 20 shkurt nuk kanë mundur të marrin ndihmën sociale dhe shtesat për fëmijë në postë, që punon sipas sistemit serb, sepse punonjësit u kanë thënë se nuk kanë para për t’i paguar këto shtesa.
Rregullorja është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka pretenduar se vendimi është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimin te komuniteti serb. Në BQK kanë thënë se vendimi do të zbatohet nëpërmjet një faze tranzitore jo më të gjatë se tre muaj.